Në Maqedoni plotësisht janë vaksinuar 35 përqind e popullatës


Gjatë ditës së djeshme janë bërë 1.529 testime, ndërkaq janë regjistruar 111 raste të reja me Kovid-19. Kanë vdekur 15 persona. Të gjithë në kushte spitalore, ndërsa janë shëruar 165 persona.
Në pajtim me të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë, 35 për qind e popullatës në vend kanë marrë dy doza të vaksinës, përderisa sipas numrit të vaksinave të aplikuara, 38 për qind e tërë popullatës në vendin tonë është vaksinuar së paku me një dozë.

Rezultatet nga studimi i ri francez tregojnë se vaksinimi kundër Kovid-19 e ulë rrezikun nga hospitalizimi dhe vdekja për 90 për qind tek njerëzit më të moshuar se 50 vjeç dhe duket sikur është efikas kundër variantit Delta të virusit.
“Kjo do të thotë se njerëzit e vaksinuar kanë nëntë herë rrezik më të vogël për hospitalizim apo vdekje nga Kovid-19 se sa personat e pavaksinuar”, deklaroi për AFP-në epidemiologu Mahmud Zureik, i cili e kryeson grupin shkencor Epi-Fare.

Në studim ceket se nga dita e 14-të pas dozës së dytë të vaksinës “është vërejtur ulje e rrezikut nga hospitalizimi për mbi 90 për qind”.
Hulumtimi është bërë sipas të dhënave nga 11 milionë persona të vaksinuar, më të moshuar se 50 vjeç krahasuar me të dhënat për 11 milionë persona të pavaksinuar të së njëjtës grup moshë, në periudhë prej 27 dhjetorit të vitit 2020 deri më 20 korrik të këtij viti.

Ky hulumtim ka të bëjë vetëm me vaksinat Fajzer/BioNTek, Moderna dhe AstraZeneka. Në Maqedoni të Veriut janë të kapshme Fajzer/BioNTek, që është e lejuar edhe për personat prej 12 vjeç dhe AstraZeneka, e cila është e kapshme për personat mbi 60 vjeç.

Komiteti për imunizim rekomandoi dozë të tretë “Fajzer” jo vetëm për personat mbi 60 vjeç dhe për punonjësit shëndetësorë, por edhe për cilët do qytetarë të tjerë nëse janë të ekspozuar ndaj rrezikut nga Kovid-19, për shkak se kanë kontakte të shpeshta në punë apo privatisht, pa marrë parasysh moshën dhe nëse kanë apo nuk kanë sëmundje kronike. Të dhënat nga Ministria tregojnë se deri më 9 tetor dozë të tretë kanë marrë 782 qytetarë.

Këtë javë pritet të fillojë edhe testimi i 8200 nxënësve nga shkollat fillore dhe të mesme. Testimi do të zhvillohet sipas zgjedhjes së rastësishme nga regjistri i E-ditarit dhe është në pajtim me prindërit e tyre.
Skriningu është paraparë të zgjasë pesë ditë, ndërsa brenda dozës do të testohen nga rreth 1600 fëmijë, në vetë shkollat nga ekipet mobile. Testimi në shkollat e mesme dhe fillore, siç sqarojnë kompetentët, zhvillohet me qëllim që të fitohet informatë për transmision të mundshëm të virusit në shkolla.

Në shkolla janë vaksinuar rreth 75 për qind e mësimdhënësve, përderisa mësim në distancë ndjekin rreth dy për qind e nxënësve, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Më së shumti raste aktive ka në Shkup – 3550, Kumanova është në vend të dytë me 612 raste aktive dhe në vend të tretë Tetova me 187 raste aktive.