Thaçi: Takim i rëndë me Vuçiqin, Serbia ende jeton me mentalitetin e së kaluarës


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një deklaratë për media, ka thënë se takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin ishte i shkurt dhe sipas tij, shumë i rëndë, derisa ka bërë thirrje që Serbia të lirohet nga barra historike se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Sot folëm për hapat konkret që duhet t’i marrë Kosova drejt BE-së. Ne ia konfirmuam [Federica Mogherinit] se Kosova është gati dhe unike për dialog për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, si parakusht për fqinjësi të mirë dhe për një të ardhme të sigurt për integrim në NATO dhe BE”, ka thënë Thaçi.

“Pastaj zhvilluam takimin mes presidentëve, ka qenë takim i shkurt, ka qenë takim jo i lehtë, ka qenë më i rëndi që kemi zhvilluar në këto gjashtë vjetët e fundit, prandaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare”, ka shtuar ai.

“Unë ende shoh dritë në fund të tunelit pasi Serbia ende jeton me mentalitetin e së kaluarës, mashtrohen dhe gabohen rëndë. Ka qenë takim i rëndë me Vuçiqin, por duhet të punojmë që të arrijmë marrëveshjen që do të jetë fituese për Kosovën dhe Serbinë. Do të shikojmë në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat”, ka thënë Thaçi që nuk pret lehtësim të dialogut gjatë muajve të ardhshëm.

“Duhet të arrihet një marrëveshje për dy vendet, marrëveshje që hap perspektivë euroatlantike për Kosovën dhe Serbinë. Një marrëveshje që lehtëson të ardhmen e dy vendeve. Që sjell mirëkuptim dhe pajtim. Nuk pres që procesi të lehtësohet, pres vështirësi edhe më të mëdha dhe pengesa, pres proces më të rëndë drejt finalizimit të dialogut dhe negociatave Kosovë-Serbi”, ka thënë Thaçi

Thaçi ka thënë se dialogut do të jetë i vështirë për shkak se ende në Serbi mendojnë se Kosova është ende pjesë e saj, por sipas tij, palës serbe po mungon guximi për të liruar popullin nga barra historike për Kosovën.

“Duke parë këtë shkëputje nga realiteti themi se ishte takim i vështirë”, ka thënë Thaçi.