Jotova: “Nuk ka bazë për ndryshimin e qëndrimit bullgar ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut”

Nënkryetarja e Bullgarisë, Iliana Jotova beson se aktualisht nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar qëndrimin e Bullgarisë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut, pavarësisht presionit serioz me të cilin Bullgaria do të përballet nga partnerët e saj evropianë në samitin BE – Ballkani Perëndimor që do të mbahet nesër në Bërdo pranë Kranj, në Slloveni.

Sipas Jotovës, siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Sofja, Bullgaria do ta përsërisë tezën e saj se gjëja më e rëndësishme për të është respektimi i të drejtave të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut me vetëdije bullgare. Jotova thekson se rezultatet e regjistrimit të popullsisë të mbajtur në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të jenë shumë të rëndësishme për Bullgarinë.

“Vijnë shumë sinjale shqetësuese. Prishja e pllakave përkujtimore ka filluar përsëri. Më duket se puna e grupit të përbashkët midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mund të mburret me ndonjë rezultat, premtimet për heqjen e teksteve të caktuara nga tekstet shkollore nuk gjenden askund”, tha nënkryetarja bullgare Jotova.

Mediat në Bullgari raportojnë gjerësisht për takimin e nesërm BE-Ballkani Perëndimor në Bërdo pranë Kranj, duke informuar për serinë e takimeve që Presidenti bullgar Rumen Radev do të ketë me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emanuel Makron.