Çmimi Nobel për Fizikë u është dhënë shkencëtarëve Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi, për punë novatore në parashikimin e ndryshimeve klimatike dhe për të kuptuarit e sistemeve komplekse fizike.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Manabe, 90 vjeç dhe Hasselmann, 89, u nderuan bashkërisht për “modelimin fizik të klimës së Tokës, përcaktimin e ndryshueshmërisë dhe parashikimin e besueshëm të ngrohjes globale”, sipas njoftimit për shtyp nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.
Ndërsa fizikani italian Parisi, 73 vjeç, mori gjysmën tjetër të çmimit, për “zbulimin e ndërveprimit të çrregullimit dhe luhatjeve në sistemet fizike nga shkallët atomike në planetare”.
Treshja u shpall fituese në një konferencë shtypi të martën në Stokholm, Suedi.
Puna e Manabe në vitet 1960 “hodhi themelet për zhvillimin e modeleve aktuale të klimës”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave në një deklaratë, ndërsa Hasselmann “krijoi një model që lidh së bashku motin dhe klimën” një dekadë më vonë.
Ndërkohë zbulimet e Parisi “bëjnë të mundur kuptimin dhe përshkrimin e shumë materialeve dhe fenomeneve të ndryshme dhe në dukje krejtësisht të rastësishme komplekse”.
Kjo nuk është e vërtetë vetëm për fizikën, por edhe për fusha të tjera, të tilla si matematika, biologjia, neuroshkenca dhe mësimi i makinerisë, shtoi akademia.