Prokuroria publikon raportin mbi shkaqet e zjarrit në spitalin modular të Tetovës

Në Prokurorinë Themelore Publike të Tetovës ka arritur raporti i njësitit të krim-teknikës dhe ekspertizës pranë MPB-së në të cilin shkak për shpërthimin e zjarrit thuhet se është nxehja e kabllos vazhduese në të cilën ka qenë i kyçur një defibrilator, një mbushës për telefona dhe një aparat tjetër i pa specifikuar.

“Me ekspertizën përcaktohet se zjarri ka shpërthyer si pasoj e një lidhje të shkurtër elektrike në kabllon e defibrilatorit me të cilin është kryer reanimimi i pacientëve në njërën nga dhomat e spitalit. Mbinxehja e kabllos ka shkaktuar ndezjen në kutinë kyçje të kabllos vazhdues në të cilin ka qenë i kyçur defibrilatori, një mbushës i telefonit dhe një pajisje tjetër”, thuhet në raport.

Pas përhapjes së flakës, personeli mjekësor prezent ka tentuar të shuaj zjarrin, por ka ndodhur përhapja e shpejtë e zjarrit në gjithë objektin. Në raport potencohet edhe mungesa e materialit adekuat për ndarjen e dhomave brenda spitalit modular me korridorin dhe dhomat tjera, e cila sipas organit të akuzës ka ndikuar në përhapjen e pakontrolluar të zjarrit.

“Kjo ekspertizë është vetëm një nga dëshmitë e siguruara. Pritet në Prokurorinë Themelore-Tetovë të arrijnë edhe raportet dhe të dhënat për të cilat prokuroria ka dhënë urdhra edhe tek institucionet tjera, si dhe ekspertiza e cila duhet të arrij nga ekipi i ekspertëve nga Gjermania. Njëkohësisht, Prokuroria edhe më tej në mënyrë intensive po vepron ndaj lëndës dhe po ndërmerren masa dhe veprime të tjera për zbardhjen e plotë të rastit. Pas grumbullimit të të gjitha materialeve dhe dëshmive, pas shqyrtimit dhe analizës, do të sillet vendim i prokurorisë për procedurat e mëtejme”, thuhet në njoftim./Alsat.mk