Policia italiane ka arrestuar katër shtetas shqiptarë dhe një italian pasi akuzohen për trafikim kokaine.
Një person tjetër u shpall në kërkim, informon policia. Mësohet se të arrestuar janë shtetasit A. Lleshi, 30-vjeç, A. Perloshi, 33-vjeç, L. Vishaj, 33-vjeç, E. Beleshi, 39-vjeç, të gjithë të lindur në Shqipëri dhe banues në Aosta.
Ndërsa Diego Gustavo Corchia, 41-vjeç, lindur dhe banues në Aosta, përfundoi në arrest shtëpie.
Sipas hetimeve të Skuadrës Mobile Aosta, Vishaj ishte korrieri, Beleshi shitësi me shumicë. Lleshi, Corchia dhe Perloshi merreshin me përpunimin e drogës dhe nga shitjet përfitonin rreth 15 mijë euro në muaj.
Hetimi filloi në Nëntor 2020 pas kontrolleve në një garazh në qendër të Aostas pas disa raportimeve.
Policia nga hetimet e deritanishme ka identifikuar rreth 30 konsumatorë, shumica e tyre midis moshës 25 dhe 30 vjeç.
Operacioni policor u kodua “Illyricum” për shkak të emrit që përdorte grupi i shqiptarëve për tu identifikuar.