Kasami në “Teteks 2”: “Keqmenaxhimi ka sjellë kaos urbanistik në Tetovë“


Sonte në vazhdën e takimeve me qytetarët e Tetovës, kreu i Lëvizjes Besa, njëherit edhe kandidat i mundshëm për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ndaloi tek vendbanimi Teteks 2. I pritur në mënyrë impozante nga qytetarën e kësaj lagjeje, Bilall Kasami shpalosi programën e tij “Me ka krejt për Komunën tonë”, ku premtoi që problemet me të cilat ballafaqohet kjo lagje do të zgjidhen vetëm nëse me komunën e Tetovës udhëheq Lëvizja Besa, pasi këto probleme janë të njëjta edhe në lagjet tjera të qytetit.

“Një nga pikat më të ndjeshme të çdo komune është sektori i urbanizmit.Keqmenaxhimi i këtij sektori në komunën e Tetovës ka sjellë një kaos të vërtetë urbanistik,kaos në komunikacion i cili e ka vështirësuar jetën e qytetarëve duke e rritur nivelin e stresit, dhe duke ndikuar në prishjen e imazhit të Tetovës. Me këto probleme ballafaqohet edhe lagjja luaj, andaj ne për dallim nga të tjerët që duan vetëm votën tuaj, ne ju japim BESËN, siç edhe thotë legjenda jonë, ne nese duhet edhe nga varri çohemi dhe besën e mbajmë, sepse jemi njerëz me besë”, ka thënë kreu i Lëvizjes Besa, njëherit edhe kandidat i mundshëm për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.