Prokuroria Themelore Publike (PTHP) në Shkup sot njoftoi se sulmuesit e Nikolla Sazdovski, do të gjykohen për veprën penale “Vrasje mizore”.
Nga PTHP thonë se pas ndërmarrjes së masave dhe konfirmimit të fakteve në lëndën kundër tre të dyshuarve për veprën e kryer më 29 qershor 2018, nga e cila pas disa ditëve ndërroi jetë N.S, kanë rikualifikuar veprën nga “dhunë” në “vrasje mizore”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Vendimi i tillë është marrë pas procedurës hetimore, pas dëgjimit të dy nga tre sulmuesve, janë marrë në pyetje gjithë dëshmitarët që policia ka mundur të sigurojë, si dhe pas rezultateve të obduksionit nga Instituti për Mjekësi Ligjore”, thonë nga PTHP.
Ata thonë se për personin e tretë i cili është në arrati, do të lëshohet fletarrest vendor dhe ndërkombëtar.
Përndryshe, Nikolla Sazdovski – anëtar i grupit të tifozëve “Komitët” më 29 qershor të këtij viti u sulmua fizikisht nga tre persona, ndërsa pas dhjetë ditëve në koma ndërroi jetë në një nga klinikat e Shkupit.