Zaev nesër do ta kushtëzojë Mickoskin


Ose do të merren vesh për formimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), ose do të futet në procedurë të përshpejtuar propozim – ligji i ri për ndryshim të Kodit Zgjedhor, i cili mes tjerash parasheh që formimi i KSHZ-së në Kuvend të bëhet me shumicë të thjeshtë, gjegjeshit 61 vota, dhe jo sikur është deri më tani me shumicë të kualifikuar apo me 81 vota. Ky është kusht që kryeministri Zoran Zaev, do t’ia ofrojë kryetarit të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, raporton Portalb.mk.

“Në seancën 80 qeveritare, e kemi pranuar propozim – ligjin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor me procedurë të shkurtuar. Me ndryshimet, do të mundësojmë zgjedhje të Komisionit Shtetëror Zgjedhor përkundër bllokadës politike e cila ekziston në këtë moment nga opozita. Propozim – ligji i ri parasheh që formimi i KSHZ-së të bëhet me shumicë të thjeshtë dhe jo siç është deri më tani, me shumicë të kualifikuar. Do të ketë ndryshim në nenin 27, edhe atë: plotësisht do të fshihet paragrafi, në paragrafin 4 do të fshihen fjalët “propozim të listës” si dhe në paragrafin 5 do të fshihen fjalët “dy e treta”, tha zëdhënësi i Qeverisë në konferencë për shtyp, Mile Boshnjakovski.

Sipas kësaj, me fshirjen e paragrafit të tretë, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime nuk do të përgatit në listë nga kandidatët e paraqitur dhe nuk do ta dorëzojë deri te Kuvendi.

“Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime i Kuvendit përgatit listë nga kandidatët e të paraqiturve dhe e dorëzon në kuvend”, thotë paragrafi tre i nenit nenit 27 të Kodit Zgjedhor.

Ai shtoi se do të lënë hapësirë që nesër, në takimin e liderëve të merren vesh për këtë çështje.

“Qeveria vazhdimisht ka dërguar apele nëpërmjet mediave që opozita ta marrë pozitën përgjegjëse, megjithatë siç shihet nuk kanë dhënë fryt. Lëmë hapësirë për dialog, nëse opozita tregon përkushtim më  demokratik që në takimin e nesërm të liderëve të merremi vesh”, u përgjigj Boshnjakovski, në pyetjen nëse do të lënë hapësirë për ndonjë marrëveshje eventuale që do të sillte tërheqjen e propozim – ligjit.

Propozim – ligji për ndryshim të Kodit Zgjedhor, vjen në kohën kur në Kuvend është bllokuar formimi i KSHZ-së, i cili duhet që deri në fund të tetorit ta organizojë referendumin për çështjen e emrit, i cili është kusht për rrugën euro-integruese të Maqedonisë.

Pos kësaj, do të intervenohet edhe në paragrafin katër ku është e theksuar se kandidatët e propozim – listës së partive politike në pushtet dhe opozitë japin propozime të tyre për anëtarët e komisionit.

VMRO-DPMNE-ja bën obstruksione duke mos lejuar që të formohet KSHZ-ja. Kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE, nuk e cakton seancën në të cilën duhet të përgatitet listë me kandidatët e paraqitur nga shpallja për anëtarë të KSHZ-së. Me këtë do të fillonte procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, pasi që paraprakët dhanë dorëheqje pas skandalit me mëditjet.

Qeveria thotë se obstruksioni i VMRO-DPMNE-së i mban peng qytetarët, ndërkaq propozim – ligji i ri është edhe kërkesë e kamotshme e Komisioni të Venedikut.

“Mënyra me të cilën përballemi me këtë bllokadë për zgjedhjen e KSHZ-së është dukuri e cila evidentohet në disa raporte të Komisionit të Venedikut. Në këtë raporte, Komisioni i Venedikut thotë se nevoja për zgjedhje ose emërim të ndonjë anëtari të ndonjë trupit me shumicë të kualifikuar, nuk guxon që të transferohet në instrument kundër-produktiv për bllokimin e proceseve për formimin e institucioneve kyçe të sistemit, pasi që institucionet që nuk mund të funksionojnë nuk e realizojnë qëllimin e tyre kushtetues dhe e varrosin demokracinë. Është kyçe që të ekzistojnë mekanizma për zhbllokimin e këtyre bllokadave me qëllim proceset  politike të zhvillohen normalisht në një sistem politik. Qeveria nuk do të lejojë që opozita, qytetarët e Maqedonisë t’i bëjë peng i interesave partiake. Mungesa e përgjegjësie te opozita nuk do të lejojmë që të jetë pengesë për shprehjen e vullnetit të shumicës së qytetarëve, vullneti i qytetarëve do të shprehet në referendum të lirë. Koha është që opozita të tregojë nëse me të vërtetë është që Maqedonia do të anëtarësohet në BE dhe NATO”, tha Boshnjakovski.

Aktualisht fati i KSHZ-së ka mbetur në fazën e pastrimit të listave të kandidatëve. Pas kësaj, Komisioni amë njofton kreun e Kuvendit i cili kërkon më pas prononcimin e partive. Pas kësaj, Komisioni propozon kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët e KSHZ-së tek kryetari i Kuvendit i cili propozimin e vendos në seancë plenare. Derisa në Kuvend është bllokuar KSHZ-ja, afatet për shpalljen e referendumit janë në rrjedhe e sipër. Në rast se KSHZ-ja nuk arrin të ketë përbërjen e re deri në fund të muajit, vihet në pikëpyetje paralajmërimi i kryeministrit Zaev se referendumi mund të mbahet nga mesi i muajit shtator. Sipas dispozitave ligjore të parapara në Ligjin për Referendum, 30-60 ditë para mbajtjes Kuvendi duhet ta shpallë referendumin, ndërsa 60-90 ditë duhet përfundojë e gjithë procedura e shpalljes, fushatës, mbajtjes dhe rezultatit.