Fjalët përfundimtare në “Trust”, Koçan: Jam përpjekur t’ju siguroj punë punëtorëve të mi

I dyshuari i parë i rastit “Trust”, biznesmeni Sead Koçan në fjalët përfundimtare në Gjykatën Penale tha se nuk ndjehet fajtor për veprën që akuzohet, transmeton Portalb.mk.

“Nuk ndjehem fajtor sepse nuk kam pasur qëllim ta shkel ligjin”, tha Koçan para Këshillit gjyqësor. “Qëllimi i vetëm ishte të jem konkurrent në treg dhe të siguroj punë për të punësuarit e mi dhe familjet e tyre”, shtoi Koçan para gjykatës.

I dyshuari i dytë Vasilije Aviroviq në fjalët përfundimtare tha se nuk ndjehet fajtor për veprën që akuzohet dhe tha se aktakuza ia ka prishur shëndetin.

“Aktakuza e tillë pa bazë e ka rrezikuar gjendjen time shëndetësore”, tha Aviroviq.

“Trust” është lëndë e prokurorisë Speciale Publike për të cilën deri në fund të javës pritet aktvendim. I dyshuari i parë është biznesmeni Sead Koçan. Ai dhe dy persona fizik dhe tre juridik, mes të cilëve drejtorët e firmave “Transmet”, “Sileks” dhe VATO dyshohen për pjesëmarrje në një tender të Elektranave të Maqedonisë në vlerë prej 17 milion euro me dokumente të falsifikuara.