BDI: Gostivari meriton ndryshim


Gostivari i Blertë me ajër të pastër, është baza e Platformës së BDI-së për qytetin e Gostivarit e prezantuar sot nga kryetari i degës së BDI-së në Gostivar, Bashkim Hasani.
Ai tha se Gostivari meriton ndryshim dhe t’i jepet fund kaosit të krijuar nga qeverisja aktuale e Taravarit.

“Është koha të ngrihemi për Gostivarin, të ndalojmë kaosin, ta çlirojmë qytetin nga qentë endacak, ta shëndrrojmë deponinë Rusino në një deponi të sigurtë e të rregullt dhe të largojmë kazinot nga qendra e qytetit. Pikësynimet kryesore të Bashkimit Demokratik për Integrim për Gostivarin janë:

më shumë gjelbërim dhe ndërtim të pjesës së pazhvilluar të parkut,shtigje të reja vrapimi dhe ciklizmi,pastrimi i qytetit nga mbeturinat dhe ndotja duke pasur në fokus të  punës rregullimin e deponisë  Rusino sipas të gjitha standardeve ekologjike,ndërtimi i një qendre të posaçme dhe moderne për strehimin dhe trajtimin e qenve endacak,kazinot dhe lojërat e fatit do ti zhvendosim nga vendbanimet dhe lagjet tona.

Katër vitet e ardhshme do të jenë vitet e realizimit të shumë projekteve për një infrastrukturë moderne si: tre parkingje  nëntokësore,  ashtu  si  dhe  ndërtimi  i  urës  së  re  që  do mundësojë lidhje me autostradën rajonale – e ndërtuar bashkë me ekspertët gjatë planifikimit urbanistik. Do të zgjidhim problemin e parkingut e do të sjellim rend në qarkullimin e trafikut, kështu theksoi Hasani gjatë prezantimit të Platformës për Zgjedhjet lokale në Gostivar.