FBI arreston spiunen ruse, kush është 29 vjeçarja që kishte krijuar lidhje të ngushta me rangje të larta në Partinë Republikane

Qeveria amerikane paditi një 29-vjeçare ruse se tentoi të kryente spiunazh për qeverinë ruse, ndërsa infiltrohej në grupe politike amerikane.

Maria Butina kishte krijuar lidhje të ngushta me Partinë Republikane dhe ishte bërë një mbështetëse e të drejtave për armët. Akuzat nuk kanë lidhje me hetimin Mueller, i cili po shqyrton ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet e vitit 2016, por ekspertët thonë se duket qartë që prokurori special Robert Mueller po e shpërndan punën në mënyrë që të lëvizë sa më shpejt para zgjedhjeve të mesmandatit.
Avokati i ruses Butina hodhi poshtë akuzat, por sipas FBI-së detyra e saj ishte të shfrytëzonte lidhjet personale që kishte me shtetas amerikanë me ndikim në politikë për interes të Rusisë.

Maria Butina u arrestua të dielën dhe pret të dalë në gjyq. Prokurorët thonë se ajo krijoi një grup mbështetje për të drejtën për të mbajtur armë para se të vinte në SHBA, në mënyrë që ta kishte më të lehtë të infiltrohej në radhët e republikanëve.

Në fakt, dyshohet se ajo mund të ketë tentuar të përdorë Shoqatën Amerikane të Armëve, ose NRA, për të financuar fushatën Trump dhe për të krijuar kanale dytësore komunikimi për qeverinë ruse. FBI thotë se Butina i raportonte një zyrtari në Moskë, mesazhet me të cilin janë zbuluar.

Arrestimi i saj vjen pikërisht kur Presidenti Trump është në shënjestër të kritikave se mbron pikëpamjen që Rusia nuk ndërhyn në SHBA, megjithë “malin” me prova për të kundërtën që rritet