Shkruan Syrja Etemi:
ARSIMTARI SI FAKTOR PËR MBINGARKESËN E NXËNËSIT
Ç’kuptohet me këtë dukuri me primesa pedagogjike: arsimtari si faktor për mbingarkesë? Duke shfletuar literaturë pedagogjike e didaktike që disponojmë, madje duke u bazuar edhe në përvojën time shumëvjeçare arsimore-pedagojike si pedagog në shkollë fillore, me fenomenin në fjalë nënkuptohet mbingarkesa e nxënësit e shkaktuar nga ana e arsimtarit si faktor, shkaqe këto që paraqiten si rezultat nga përgatitja e dobët apo nga ndonjë veti personale e arsimtarëve, si që mund të jenë: parashtrimi i qëllimeve të vështira, përdorimi i njëanshëm apo joadekuat i formave, metodave dhe mjeteve mësimore,etj.
Mundësia e paraqitjes së arsimtarit si faktor për mbingarkim të nxënësit është shumë e madhe. Atë duhet trajtuar nga disa aspekte: me qasjen dhe mënyrën e mësimdhënies, organizimin e mësimit, me veprimet që bën; dimensionimi i sasisë dhe cilësisë së përmbajtjeve mësimore; raporti i thellësisë dhe gjërësisë në interpretimin e përmbajtjeve, programeve, aktiviteteve mësimore, detyrave dhe punëve të nxënësve; çështja e metodës së mësimdhënies (metoda që nxënësin e lë pasiv në mësim, dhe që krijon bezdi, monotoni dhe mërzi në mësim); problemi rreth mosrespektimit të potencialeve intelektuale dhe kapacitetit kreativ të nxënësve; uniformiteti dhe monotonia në mësim; mosrespektimi i individualizimit të veprimeve; puna e arsimtarit që përcillet me shabllone, klishe dhe stereotipe; format e punës dhe mjetet e TIK-ut – kur nuk janë adekuate në mësimdhënie e mësimnxëne, etj.
Kjo do të thotë se mbingarkesa lidhet jo vetëm me orët e mësimit, lëndët mësimore, por gjithashtu edhe me qasjen dhe botëkuptimin e arsimtarit, me aftësimin e tij metodologjik. Aspekti cilësor i ngarkesës ose mbingarkesës nënkupton se në shkollat tona fillore të R.M.V. (them: fillore pasi këtë nivel arsimor e njoh më së miri), në punën mësimore, akoma mbizotëron dominim i mësimit enciklopedist; dominim i mësimit formal dhe memorimit, të mësuarit përmendsh; mësim dhe qasje tradicionale; dominim i mësimit teorik pa mbështetje praktike; dominim i metodave monologe e formave frontale, prej të cilave mësuesi I suksesshëm kotemporan duhet të “trandet” dhe gradualisht (nëse nuk është vonë) – të futet hullive të një procesi modern të mësimdhënies dhe mësimnxënies kualitative të cilënb e kërkon koha e dixhitalizimit.