KSHZ: Refuzohen dy kandidatë dhe gjashtë lista këshilltarësh


KSHZ-ja ka konfirmuar kandidaturat e dorëzuara dhe listat e këshilltarëve për zgjedhjet lokale. Deri të Enjten do të përfundojë edhe shorti pas çka do të dihet numri rendor që duhet ta rrethojnë votuesit për të mbështetur opsionin e zgjedhur.
Gjithsejt në të gjitha komunat janë 303 kandidatë për Kryetar Komunash dhe 567 lista këshilltarësh.

Janë refuzuar dy kandidatura për Ohrin dhe Strugën. Gjithahstu janë refuzuar edhe 6 lista këshilltarësh në Komunat Vrapçisht, Gjorçe Petrov, Zelenikovë, Kërçovë, Strugë dhe Tetovë.
Sipas KSHZ-së bëhet fjalë për parti më të vogla kurse si shkqe përmenden mosdorëzimi në kohë dhe mangësi tjera formale.

VMRO-DPMNE në këto zgjedhje lokale do të ketë 62 kandidatë, LSDM-ja 68, BDI-ja 19, ASH–AAA 15 kurse “E Majta” do të ketë kandidatë në 38 komuna, kurse si të pavarur shkojnë 27 kandidatë.
Fushata zgjedhore fillon të Hënën e ardhshme më 27 Shtator dhe do të zgjasë deri më 15 Tetor.
Më 17 Tetor qytetarët do t`u drejtohen vendvotimeve për të përcaktuar se kujt do t`ia japin besimin që të udhëheq me Komunat e tyre gjatë katër viteve të ardhshme.