Sezoni i turshive rrit çmimin e perimeve në treg


Sezoni i përgatitjes së ushqimeve të dimrit filloi, por qytetarët ankohen se këtë vit çmimet e frutave dhe perimeve janë shumë shtrenjtë. Edhe tregtarët pranojnë se çmimet janë të shtrenjta sepse nuk ka prodhimtari, ndërsa për periudhën e ardhshme thonë se çmimet do jenë edhe më të larta. Çmimi i specave të kuq është nga 35 deri 50 denarë, specat në varg janë nga 70 deri në 120 denarë, domatet nga 30 deri 80 denarë, ndërsa kumbullat dhe pjepri nga 20 deri 50 denarë për një kilogram.

“Momentalisht për shkak të krizës me pandeminë nuk shkon puna. Tani është sezoni, nuk ka njerëz, njerëzit nuk kanë para, është krizë, pandemi, ata kanë frikë. Derisa të kalojë pandemia, kalon edhe sezoni dhe për ne tregtarët është shumë keq”.
Një pjesë e qytetarëve thonë se do bëjnë ushqime për dimër por me sasi më të vogla për dallim nga vitet e tjera, ndërsa ka edhe të tjerë që thonë se nuk do bëjnë fare ushqime për dimër.

“Sigurisht se do bëjmë, ajvar, turshi, domate, tranguj. Jam nga fshati, atje kam të kushërinj dhe prej tyre do marr speca”.
“Ajvar jo, vetëm speca me hudhra. Pensionet nuk i rritën, por duhet të bëjmë diçka për dimër. Për ne që blejmë është shtrenjtë, ndërsa për prodhuesit nuk ka shumë fitim”.

“Asgjë nuk bëjmë, gjithçka blejmë. Nuk ka leverdi të blesh dhe të përgatitësh dhe të mundohesh. Gjithçka ka gati, merr një kavanoz dhe do hash një kohë të gjatë”.
Edhe të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se rritje më të madhe prej 15.8% ka pasur në çmimet e perimeve.