Sot në moshën 66-vjeçare, u nda nga jeta prof. dr. Naim Halimi, nga fshati Shtrazë i Kumanovës, doktor i shkencave historike, këshilltar shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Naim Halimi dha një kontribut të çmuar në edukimin e gjeneratave të tëra në frymën kombëtare. Pas mbarimit të Fakultetit Filozofik – dega e Historisë në Universitetin e Prishtinës, punën në arsim e filloi si profesor i historisë në Gjimnazin e Kumanovës (1982-1983). Një kohë të gjatë punoi në Shkollën fillore “Vëllazërimi” (më vonë “Naim Frashëri”) në Kumanovë (1984-1997). Pas mbarimit të studimeve të doktoratës në Institutin e Historisë në Tiranë, u angazhua ligjërues i disa lëndëve të fushës së historisë në Universitetin e Tetovës (1997-2008). Një mandat ishte edhe prorektor i Universitetit të Tetovës, në kohën më të vështirë, para se ai të legalizohej. Së fundi u angazhua si profesor edhe në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup (2018-2021).
Nga viti 2009 u punësua në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ku dha një kontribut të madh nëpër aktivitete të ndryshme hulumtuese – shkencore.
Naim Halimi është autor i botimeve shkencore, si: “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në trevën e Karadakut (1908-1912)”, Kumanovë, 2001; “Studime historike dhe etnologjike në trojet tona etnike”, ITSHKSH, Shkup, 2017, dhe “Thesare kulturore dhe natyrore të trevës së Kumanovës”, në bashkautorësi me Sevdail Demirin, ITSHKSH, Shkup, 2019.
Në dorëshkrim i kishte edhe disa vepra të rëndësishme të historiografisë, si: “Historia e popullsisë së Kumanovës (1600-2000) – disa personalitete të shquara shqiptare”; “Shpërnguljet e shqiptarëve nga Kumanova – shkaqet dhe pasojat”, “Shqiptarët e Maqedonisë në vitet e demokracisë”, etj.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të prof.dr.Naim Halimit.