Ali Ahmeti: Më shumë se dy parti politike dëmtojnë shqiptarët e Maqedonisë (VIDEO)


Kreu i BDI, Ali Ahmeti në një intervistë për Ora News tha se ekzistenca e më shumë se dy partive politike në Maqedoni dëmton shqiptarët atje. Ai u shpreh se partitë politike nuk duhet të bëjnë garë për të bërë marketing ditor sesa është patriot e kombëtar njëri apo tjetri.

“Shqiptarëve në Maqedoni nuk u duhen më shumë se dy parti politike. E them me përgjegjësinë më të lartë, sepse ekzistenca e dy e më shumë partive politike në Maqedoni dëmtohen shqiptarët, bëhen shqiptarët të parëndësishëm. Partitë politike mos shndërrohen si garë për të bërë marketing ditor se sa është patriot e kombëtar njëri apo tjetri. Ekzistenca e më shumë se dy partive politike është në dëm të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë. Në gjedhjet e fundit parlamentare shqiptarët kanë humbur 10 mandate, nuk ka humbur BDI. 10 mandate nuk i fitoi askush, dmth shqiptarët në mandatin që lamë pas i kishin 28 mandate, sot i kemi 20 mandate dhe realisht duhet të kishim 30 mandate, ne kemi 20 mandate nga 6 parti politike që morën pjesë në garë. Kjo është një praktike e keqe. E njëjta praktikë është instaluar në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshëvës. Nuk kanë nevojë shqiptarët as në Mal të Zi as në Luginë të Preshevës të kenë nga 9 parti politike. Por kjo është vullnet i njerëzve të ndryshëm që gjejnë përkrahas dhe nuk është vështirë të bësh një parti politike”, theksoi Ali Ahmeti.