Pllakë përkujtimore për Kamer Loshin dhe Murat Loshin


Është zbuluar pllaka përkujtimore ku në të janë gdhendur në mermer luftëtarëve, Kamer Loshi dhe Murat Loshi.

Vepra dhe heroizmi i Kamer dhe Murat Loshit u vlerësua lartë, duke e quajtur edhe frymëzim për gjeneratat e ardhshme që luftuan për çlirimin e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se vendi i madh, nderi dhe krenaria kombëtare i përket luftëtarit dhe guximtarit, Kamer Loshi, i cili luftoi pa u lodhur fare për ta dëbuar armikun nga vatrat stërgjyshore.

Ai shtoi se vepra dhe heroizmi i treguar në atë periudhë ishte fuqi e jashtëzakonshme për mobilizimin e gjeneratave të reja për luftërat çlirimtare.

Jashari u shpreh se ky lapidar i ngritur sot nga atdhedashës për Kamer dhe Murat Loshi është mesë i nevojshëm që t’i kujtojnë heroizmat që i bëri ky popull për çlirimin.

Jashari: U dashtë një shekull për këtë lapidar

“Është për të ardhur keq sepse për faktin se u dashtë të pritet një shekull që të zbulohet pllaka e heroit të kombit Kamer dhe Murat Loshi. E gëzofshim të gjithë së bashku”, tha Jashari.

Në këtë manifestin ishte i pranishëm edhe deputeti i Kuvendit të Maqedonisë, Zijadin Sela, i cili tha se figura të tilla si Kamer Loshi dhe Murat Loshi nuk i kanë munguar kombit tonë dhe nuk do t’i mungojnë edhe në të ardhmën.

Sela: Këtu është përgjigjja më e mirë e asaj se si arrihet liria

“Në atë periudhë familja Loshi dhe shumë familje tjera kanë ditur që të derdhin gjak për liri, ashtu si pastaj në periudhën tjetër si familja Jashari dhe shumë familje tjera. E këtu është përgjigjja më e mirë e asaj se si arrihet liria dhe liria ka vetëm një çmim dhe ky është gjaku. Ngase kam dëgjuar historia Kamer Loshit nuk i dihet varri dhe nëpërmjet përurimit të këtij lapidari ka një vend ku do të nderohet figura e Kamer Loshit”, theksoi Sela.

Sela shtoi se tani është periudha e ndërtimit të Kosovës, derisa beson se në të ardhmen do të ndërtojnë lapidare, jo vetëm për ata që mbrojtën Kosovën, por edhe ata që ndërtuan Kosovën dhe i japin vendin e merituar në mesin e vendeve të civilizuara të botës.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci luftën e Kamer Loshit e ka quajtur frymëzim për ushtarët e UÇK-së.

Lladrovci: Lufta e Kamer Loshit ka qen frymëzim për ne

“Kujtesa për luftën e Kamer e Murat Loshit, Ahmet Delisë, Tahir Mehës ka qenë një brez i tërë që ka dhënë jetën për lirinë që sot po festojmë dhe i cili neve na ka frymëzuar. Mund t’iu them se e kam dëgjuar komandantin Adem Jasharin duke kënduar këngën e Kamer Loshit”, tha ai.

Nipi i Murat Loshit, Ferat Loshi, falënderoi të gjithë për këtë lapidar duke thënë se veprat e Kamer e Murat Loshit duhet t’i ruajnë me përkushtim e ndershmëri.

Loshi: Ta ruajmë lavdinë e tyre me përkushtim e ndershmëri

“Ata lanë vepra, ndërsa ne, detyrë e jonë është ta ruajmë lavdinë me punë, përkushtim dhe ndershmëri ndaj kësaj toke që ne e quajmë atdhe. Populli u dha vendin e merituar këtyre luftëtarëve të çështjes kombëtare duke u kënduar këngë e përcjellë këta brez pas brezi”, theksoi Loshi

Ndërsa profesor Bedri Tahiri foli për veprën dhe luftën e Kamer e Murat Loshit duke kujtuar heroizmin e tyre përballë ushtrisë serbe. Ai tha se për figurat e këtyre dy trimave do ta nxjerrë një libër vitin e ardhshëm.