Regjistrimi i popullsisë, Selami: Të gjithë qytetarët të regjistrohen


Prej nesër deri në fund të këtij muaji do të realizohet procesi i Regjistrimi i popullsisë, banesave dhe amvisërive në Maqedoninë e Veriut. Zëvendësdrejtori i Entit Statistikor Ilmi Selami në konferencën e sotme tha se Enti Shtetëror i Statistikës ka bërë të gjitha përgatitjet për realizimin e këtij procesi më të madh statistikor. Selami gjithashtu potencoi se gjatë realizimit të këtij procesi do të respektohen të gjitha protokollet shëndetësore me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve.

“Tani më të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e Regjistrimit dhe ma merr mendja se as që nevojitet ta përsërisim rëndësinë e tij.
Tani nevojitet të gjithë së bashku të veprojmë dhe të kontribuojmë që çdo qytetar i këtij vendi, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike apo fetare, të regjistrohet.
Askush nuk guxon të mbetet jashtë përfshirjes në këtë operacion më të madh statistikor në vend sepse vetëm ashtu dëshmojmë se ekzistojmë.

Për ata që frikohen nga përhapja e infeksionit, veçanërisht po e theksoj se regjistruesit tanë, maksimalisht do t’i respektojnë dhe zbatojnë masat mbrojtëse të parapara me Protokollin për zbatim të Regjistrimit në kohë Kovidi.
Njëkohësisht apelojmë deri te qytetarët tanë që edhe ata t’i respektojnë masat е përshkruara në mënyrë që të gjithë në këtë proces të ndjehemi të sigurt.

Enti Shtetëror i Statistikës ka bërë përpjekje maksimale në organizimin e këtij operacioni më të madh statistikor. Tani na mbetet neve të gjithëve së bashku, bashkë edhe me ju, mediumet, t’a ndihmojmë dhe të krijojmë atmosferë besueshmërie, se ky proces është i rëndësishëm për çdo qytetar dhe për vendin tonë në tërësi. Nga ky proces fitojmë të gjithë. Nga çdonjëri prej nesh varet se a do të kemi kushte më të mira për punë dhe jetë gjatë viteve të ardhshme. Gjithashtu nga ne varet se çfarë themelesh u lëmë gjeneratave të ardhshme që ato mandej ta ndërtojnë të nesërmen e tyre më të mire!”, tha Selami.