Për shkak të vendimit të Athinës zyrtare për të dëbuar dy diplomatë rusë nën arsyetimin se ata kanë tentuar që ta bllokojnë marrëveshjen historike mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, Rusia ka thirrur ambasadorin e Greqisë në Moskë, për të protestuar vendimin e Athinës zyrtare.
Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Jashtme ruse nëpërmjet një komunikate, ku thuhet se ka thirrur në takim ambasadorin Andreas Fryganas për t’i shprehur siç thuhet në komunikatë, kundërshtimin në lidhje me dëbimin e dy diplomatëve rusë dhe ndalimin që të hyjnë në Greqi të dy diplomatëve të tjerë.
Lidhur me hapjen e samitit të NATO-s, Moska ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se qëndrojnë prapa këtij vendimi të Qeverisë greke, të cilin ata e cilësojnë si anti-rus.
Ndërkaq, Qeveria greke më datë 11 korrik, ka deklaruar se pas ndërhyrjes së zyrtarëve rusë në çështjen e emrit me Maqedoninë, ajo ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesin kombëtar.
Televizioni publik grek ERT1 ka thënë se Athina akuzon dy diplomatët rusë për nxitje të protestave që synonin bllokomin e marrëveshjes me Shkupin.
Greqia dhe Maqedonia kanë arritur marrëveshjen për emrin, pas pothuajse dy dekadash, duke larguar kështu pengesën kryesore për ish-republikën jugosllave në rrugën për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, gjë që kundërshtohet fuqishëm nga Rusia.
Ndërsa së fundi ka reaguar edhe Ministri i Mbrojtjes së SHBA-së, Xhejms Matis, i cili ka deklaruar se aktivitetet e Rusisë në Evropën Juglindore kanë karakter destabilizues.
XHEJMS MATIS, MINISTRI I MBROJTJES SË SHBA-SË
“Aktivitetet e Rusisë në Evropën Juglindore janë faktor destabilizues. Ata (rusët) e minojnë strukturën demokratike të vendeve (nga ky rajon) përmes përhapjes së informacioneve të rreme, masave ekonomike dhe përzierjes”
Matis këtë e ka thënë në bisedën me gazetarët rrugës nga Kroacia për në Norvegji. Në Zagreb ai u takua me ministrin e Mbrojtjes të vendeve nga Karta e Adriatikut