BDI: Largpërçuesi Manastir – Elbasan, premtim i realizuar

Edhe nje Premtim i realizuar nga programi jonë, largpërçuesi i rrymës nga Manastiri në Elbasan. Me vendosjen e gurthemelit sot në afërsi të Ohrit shënohet fillimi i ndërtimit të transmetuesit 400-kilovoltësh Manastir (Maqedonia e Veriut) – Elbasan (Shqipëri), si pjesë e Korridorit-8. Ndërtimi i largpërçuesit të interkoneksionit 400 kv mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë do të kontribuojë në pjesën e ndërlidhjes dhe integrimit rajonal të tregjeve energjetike në rajon.

Realizimi i këtij investimi në funksion të plotë do ta vendosë Korridorin elektroenergjetik lindje – perëndim që nënkupton transit të rrymës nga Bullgaria, përmes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë deri në Itali. Ky është një nga investimet e rëndësishme për tërë vendin, duke e pasur parasysh se fillojmë edhe lidhjen me Shqipërinë. Vlerësojmë se ky interkonektor, ka për qëllim edhe rritjen e konkurrencës në vend dhe rajon për investim në ekonominë energjetike. Ky investim prej 50 milionë euro është në kuadër të Strategjisë energjetike të miratuar nga Qeveria, e cila parasheh ndërtim të rrjeteve të reja të energjisë së ripërtëritshme. Edhe në kohë pandemie dhe krizës ekonomike, Qeveria nuk ndalet me investimet në infrastrukturë, përfshirë dhe sektorin e energjetikës dhe sigurimit të stabilitetit energjetik në vend.

Ky projekt, do të përmirësojë sigurinë në furnizimin me energji elektrike dhe do të jetë autostradë e re për transmetimin e energjisë elektrike që do t’u mundësojë qasje të gjithë operatorëve ekonomik deri te burimet e energjisë dhe çmime konkurrente. Rëndësia dhe nevoja për bashkëpunim rajonal janë pjesë e prioriteteve në Strategjinë për energjetik që përkufizon masa dhe projekte konkrete nga aspekti i lidhjes ndërkufitare dhe përmes rritjes së bashkëpunimit rajonal në fushën e energjetikës, shohim mundësinë dhe potencialin e madh për krijimin e ekonomisë së qëndrueshme dhe zhvillimore.

Ndryshe, përveç ndërtimit të largpërçuesve për lidhje energjetike të rëndësishme janë dhe projektet për interkoneksion të gazit me vendet e rajonit, nga të cilat në fund levërdi nga çmimet më të ulëta dhe më konkurrente të karburanteve do të kenë të gjithë qytetarët e vendit dhe rajonit.