Kërkohet mësimi i edukatës fetare në shkolla


Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar futjen e edukatës fetare në shkolla, pas shtimit të rasteve të dhunës në familje kohëve të fundit në Kosovë.
BIK-u në një komunikatë për media ka kërkuar që të merren masat e duhura ndaj të dyshuarve për vrasjen e një 18-vjeçareje në Ferizaj javën e shkuar, rast që tronditi vendin. Për këtë çështje është mbajtur ligjërata sot, me BIK-un që ka thënë se duhet të ketë “angazhim familjar e kolektiv për luftimin e dhunës ndaj femrës”.

Duke e quajtur të palejueshme dhunën ndaj gruas, BIK-u ka thënë se konsideron që duhet të trajtohet me seriozitet çështja e “rolit në zbehje të prindërve në edukimin e fëmijëve”.
Si rrjedhojë, BIK-u ka thënë se për edukimin e fëmijëve “rol të pazëvendësueshëm kanë prijësit fetarë të komuniteteve fetare në Kosovë, që me këshillat e tyre mund të asistojnë shumë në ruajtjen e karakterit dhe personalitetit të fëmijëve në secilën etapë të zhvillimit të tyre”.

“Fakti se kohëve të fundit janë shfaqur kaq shumë dukuri negative në mesin e fëmijëve tanë, duhet të na alarmojë të gjithëve, dhe të na vë në lëvizje për të gjetur zgjidhjet më të mira për këto dhe probleme të ngjashme që për bazë kanë edukimin. Prindërit, duhet të jenë në vijën e parë të frontit dhe për asnjë moment të mos ndalen së punuari me fëmijët e tyre, derisa shteti duhet të ndërtojë politika arsimore-edukative që në fokus kanë jo vetëm arsimimin, por mbi të gjitha edukimin e fëmijëve. E patjetër këtu një rol ta pazëvendësueshëm kanë prijësit fetarë të komuniteteve fetare në Kosovë, që me këshillat e tyre mund të asistojnë shumë në ruajtjen e karakterit dhe personalitetit të fëmijëve në secilën etapë të zhvillimit të tyre. E kemi thënë sa e sa herë dhe do ta përsërisim se zgjidhja më e mirë është edukimi fetar. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë edukimin fetar. Çdo vonim në aprovimin e edukimit fetar në shkolla është me pasoja. Ndaj, le të jetë kjo një thirrje për institucionet tona qeverisëse që ta marrin në konsideratë futjen e edukatës fetare në shkolla, ashtu siç veprojnë një numër i madh i shteteve në perëndim. Le të jetë ky një mesazh i yni kundër këtyre dukurive negative që po prekin fëmijët tanë!” thuhet në reagimin e BIK-ut.