Kryeministri i vendit Zoran Zaev ka deklaruar se nuk ka diskutime për karantinë speciale dhe kufizime shtesë. I pyetur nëse mendohet për karantinë për Tetovën dhe Gostivarin, për shkak të situatës me pandeminë, Zaev tha se institucionet, sipas parametrave, presin që situata me pandeminë në rajonin e Pollogut të stabilizohet.
Zoran Zaev, kryeministër
“Unë si kryetar i Qeverisë që i jam i detyruar të ndjekë parametrat, numrat, është mirë ajo që në ditët e fundit numrat siç ishin duke u rritur, po stabilizohen në dy qytetet më të eksponuara, në Tetovë dhe Gostivar. Nuk ka diskutime për karantina specifike ose për kufizime të posaçme sepse besojmë se numrat do të bien”
Kreu i Ekzekutivit, gjatë një konference për media, shtoi se situata epidemiologjike në vend është drejt stabilizimit, pasi siç tha masat kundër koronavirsuit po japin rezultate, dhe se në vendet ku tregohet përgjegjësi, aty gjendja është më e qetë.
Zoran Zaev, kryeministër
“Ajo që ka rëndësi është se fuqia e virusit është zbehur, me siguri masat po japin efekt dhe qytetarët po tregojnë më shumë kujdes. Aty ku tregojmë më shumë kujdes dhe ku tregojmë më shumë përgjegjësi, aty situata është më e kontrollueshme, aty ka edhe më pak të hospitalizuar edhe më pak të vdekur”
Përndryshe, autoritetet shëndetësore vazhdimisht bëjnë thirrje për respektimin e masave dhe protokolleve për parandalimin e koronavirusit, ndërsa apelojnë deri tek qytetarët që të vaksinohen pasi që kjo është mënyra e vetme për t’u mbrojtur nga pandemia