Nuk ka rëndësi nëse disa nga regjistruesit janë të vaksinuar apo jo. Ne kemi protokolle të qarta dhe të sakta KOVID që duhet dhe do të respektohen. Ky është detyrimi ynë, por ne gjithashtu garantojmë që protokollet do të respektohen në maksimum. Ne do të mbajmë përgjegjësi nëse kjo nuk ndodh, tha sot drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Apostol Simovski.
Simovski në konferencë për shtyp në Qeveri u falënderua për rekomandimin e qeverisë për t’i vënë në dispozicion punonjësit e përkohshëm në institucionet shtetërore, por shprehu shpresë dhe pritje që nuk do të ketë nevojë për angazhimin e tyre sepse ka, tha ai, një numër të mjaftueshëm të regjistruesve.
Sipas drejtorit, regjistrimi është detyrim i çdo qytetari, jo një aktivitet vullnetar. Metodologjia e regjistrimit, nga ana tjetër, nuk do të ndryshojë, nënvizoi ai, pavarësisht pamjes së dobët epidemiologjike në vend.
“Unë mendoj se është e qartë për të gjithë se ne nuk mundemi dhe nuk kemi ndërmend të mendojmë në atë drejtim për të ndryshuar metodologjinë. Është miratuar me ligj, botuar në Gazetën Zyrtare dhe miratuar nga Eurostat, kështu që ndryshimi i metodologjisë është jashtë diskutimit. Lidhur me çdo refuzim për regjistrim, ekziston një ligj që është shumë i saktë. Ky është një aktivitet i detyrueshëm, një detyrim i të gjithëve. Ky nuk është një aktivitet vullnetar”, theksoi Simovski.
Lidhur me regjistruesit, ai përsëriti se pret një numër të mjaftueshëm kandidatësh.
“Pas testimit do të dimë sa regjistrues kemi në dispozicion dhe më pas do të jemi në gjendje të themi nëse do të kemi nevojë për staf shtesë. Por, ne presim që të kemi një numër të mjaftueshëm kandidatësh kudo të cilët do t’i përzgjedhim sipas konkursit që përfundon sot. Nesër do të kemi informacion specifik, sa kanë aplikuar për cilat rajone të regjistrimit, ndërsa ditën tjetër do të dimë saktësisht se sa prej tyre e kanë kaluar përzgjedhjen.
Mundësia për t’i marrë në dispozicion personat e angazhuar përkohshëm në institucionet shtetërore dhe të vetëqeverisjes lokale është që të ndërhyhet sipas nevojës, atje ku nuk do të ketë staf të mjaftueshëm – gjuhë të ndryshme në regjistrim dhe të ngjashme. Por unë shpresoj dhe pres që kjo të mos ndodhë,” tha drejtori.
Të angazhuarit, shpjegoi drejtori, do të paguhen vetëm për punën që do të kryejnë, si dhe çdo pjesëmarrës tjetër në regjistrim.