Nrecaj: Talibanët mund ta tërheqin njohjen e Kosovës nga Afganistani

Marrja nën kontroll e Afganistanit nga forcat talibane ka bërë që një numër i madh i qytetarëve atje të ikin vendbanimet e tyre duke kërkuar strehim dhe siguri në vendet e tjera.
Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Kosova është zotuar se do t’i strehojë një numër të refugjatëve nga Afganistani.

Një nga pasojat që mund t’i ketë Kosova nga pushteti i ri afgan me rastin e pranimit të refugjatëve nga ky vend është tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Kështu tha në Info Magazine në Klan Kosova Anton Nrecaj, nga Qendra për Ndihmë Jurdike dhe Zhvillim Rajonal.
“Nga aspekti politik mund të ketë pasiguri që pushteti i ri atje do të mund ta tërheq njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në këtë aspekt Qeveria e Kosovës do të duhet të jetë e përgatitur se si do t’i bashkërendis veprimet qoftë juridike por edhe politike në lidhje me pranimin e refugjatëve afaganë”.

Nrecaj tha se në një të ardhme Kosova mund të jetë objekt i sulmit nga ana e talibanëve.
“Nga aspekti i sigurisë ne nuk shohim ndonjë rrezik potencial nga personat që do të jenë refugjatë të cilët do të vijnë në Kosovë. Mirëpo rreziku potencial mund të jetë nga pushteti i ri në Afganistan. E para për shkak se po u dalim në ndihmë njerëzve dezertorë të vendit të cilët po ikin nga Afganistani. Dhe mund të jetë objekt në një të ardhme jo të afërt objekt i sulmeve të ndryshme nga talibanët”.