Ndihem i shkatërruar kur shoh njerëz të braktisur dhe, të paktën, dua t’u jap atyre mundësinë për të marrë frymë sërish, tha kryeministri shqiptar, Edi Rama, për “The Guardian”, në lidhje me pranimin e qindra refugjatëve afganë në Shqipëri.
“Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh një i huaj që kërkon strehim diku. Ka të bëjë me atë që jemi, është nder dhe detyrë ta bëjmë këtë”, u shpreh Rama.
“Unë nuk mund ta kuptoj se si vende më të pasura mund t’u kthejnë shpinën atyre. Kjo bie ndesh me vlerat që ne të gjithë predikojmë”, tha ai.
Ai theksoi se “Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por as nuk dëshiron të jetë pjesë e tij”.