Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht strehimit të afganëve nëse kërkohet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këtë deklaratë e dha me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook.
“Nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate; uroj që në rast se po, qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht. Por bëj me dije se në Samitin e NATO-s isha unë që e ngrita këtë shqetësim, për jetët e bashkëpunëtorëve afganë të Aleancës pas tërheqjes së saj nga Afganistani. Madje iu referova si shembull eksperiencës tragjike të kundërshtarëve të regjimit komunist në vendin tonë, që vrau, burgosi, torturoi, shkatërroi çdo armik të brendshëm pasi triumfoi mbi armiqtë e jashtëm dhe mbylli totalisht Shqipërinë, siç do të bëjnë së shpejti tanimë, talebanët me Afganistanin”.
Ditëve të fundit në mediat shqiptare ka qarkulluar një lajm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar nga Shqipëria dhe Kosova që të strehojnë afganët që janë duke luftuar me talebanët në vendin e tyre.
Se i është kërkuar strehimi i qytetarëve afganë nga ana e Shteteve të Bashkuara këtë e ka konfirmuar vetë i pari i qeverisë shqiptare.
Agjencia Reuters raportoi më 13 gusht se Qeveria amerikane ka zhvilluar bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan, derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.
Burimet i kanë thënë agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Uashington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.
Ambasada amerikane në Prishtinë dhe Qeveria e Kosovës nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse një kërkesë e tillë i është bërë autoriteteve në Prishtinë.
Gjithashtu Gazeta Express ka dërguar pytje në Qeverinë e Kosovës për të parë nëse një gjë e tillë i është kërkuar nga ShBA dhe është në pritje të një përgjigjeje.
Rama tha se shpreson që edhe Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që të strehojë afganët që kanë punuar me forcat amerikane.
“Nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate; uroj që në rast se po, Qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht”, tha Rama ndër të tjera.