Priten variante të ndryshme të Covid-19! Mund të rekomandohet marrja e dozës së tretë e vaksinës


Është e qartë se nuk do të ndalet trendi i paraqitjes se llojeve të reja të virusit korona dhe me gjasa varianti Delta nuk do të jetë variant i fundit, thotë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Sipas tij kjo do të thotë se rreziqet e virusit do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, e për këtë rekomandohet edhe për marrjen e dozës së tretë të vaksinës anticovid.

“Në mënyrë intensive po i ndjekim dhe i analizojmë rekomandimet në lidhje me vaksinimin. Një nga skenarët e mundshëm është të ketë rekomandimi për dozën e tretë të vaksinës, skenari tjetër i mundshëm është që kjo të kalojë në vaksinimin sezonal. Shihet se nuk do të ndalet trendi i paraqitjes së llojeve të reja të koronës, me gjasë varianti Delta nuk do të jetë varianti i fundit i këtij virusi”, tha Filipçe.
Ndërkohë numri i të infektuarve të ri me korona virus përsëri ka filluar të merr hov, por ende nuk ka presion ndaj spitaleve, theksoi Filipçe.

“Ajo që është e rëndësishme në këto momente është se nuk ka presion ndaj spitaleve dhe as në ambulanca. Rreth 15 pacientë po trajtohen në Klinikën për Sëmundje Infektive. Po e ndjekim me kujdes situatën edhe pse për momentin situata është e qetë, por është e mundur të ketë përkeqësim të gjendjes nëse trendi i rritjes së numrave vazhdon edhe më tutje”, shtoi Filipçe.
Dyfishim i numrit të të infektuarve me Covid-19 është hasur edhe në raportet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Thuajse 4 milionë raste u raportuan në OBSH javën e kaluar dhe sipas tendencave aktuale presim që numri i përgjithshëm i rasteve të kalojë 200 milionë brenda dy javëve të ardhshme. Mesatarisht, në 5 nga 6 rajonet e OBSH-së, gjatë katër javëve të fundit infeksionet janë rritur me 80%, ose gati dyfishuar. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje po nxitet nga varianti delta i cili transmetohet shpejtë, i cili deri tani është zbuluar në të paktën 132 vende”, deklaro Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor gjeneral i OBSh-së.

Ministria e Shëndetësisë informon se deri dje janë vaksinuar përafërsisht 514.021 qytetarë. Filipçe apeloi deri te qytetarët për vaksinim më masiv, për shkak se edhe nëse eventualisht do të ketë masa restriktive, të parët që do të targetohen janë ata që nuk janë vaksinuar.