Presidenti amerikan Donald Trump nisi këtë të mërkurë udhëtimin e tij njëjavor në Europë, me kritika të ashpra ndaj aleatëve të NATO-s, duke parashikuar madje se “më i lehti” i takimeve gjatë udhëtimit të tij mund të jetë ai kokë më kokë me presidentin rus, Vladimir Putin, transmeton Top Channel.
Trump tha këtë të martë se, “nuk mund ta deklaroj tani” nëse Putini është mik apo armik, por thjesht e quajti atë një “konkurrent”.
Komuniteti i shërbimeve sekrete amerikane ka dalë në konkluzionin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, për të favorizuar kandidaturën e Trumpit, e paralajmëron gjithashtu përpjekje të mëtejshme për ndërhyrje në zgjedhjet e mesmandatit të sivjetshme dhe ato europiane të vitit të ardhshëm.
Duke folur për reporterët përpara largimit nga Uashingtoni për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s, Trump e kritikoi paktin, duke thënë se “e thënë shkoqur, ai ndihmon më shumë ata, sesa neve”.
Trump u ka bërë presion vendeve anëtare të NATO-s të përmbushin detyrimin e tyre për shpenzime sa 2 për qind e GDP-ve të vendeve respektive në fushën e mbrojtjes deri në vitin 2024. Gjatë fushatës së tij presidenciale, ai sugjeroi se do t’i shkonte në ndihmë vetëm aleatëve të NATO-s që e përmbushin këtë detyrim, por kritika vijon edhe sot e kësaj dite.
Pas Belgjikës, rrugëtimi i Trumpit do të vijojë me Londrën, ku qeveria e kryeministres Theresa May është në kaos për shkak të planeve të saj për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Gjatë vizitës së tij në Londër, ai me gjasë do të pritet me protesta masive. Më tej, ndalesa e radhës do të jetë në Skoci, përpara se të përfundojë me takimin me Putinin në Helsinki të Finlandës.