Hartuesit e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe propozojnë ndryshime ligjore derisa ekspertët konsultues diskutojnë kalimin e Ujmanit dhe Trepçës ndër administrim të Asociacionit.
Referuar procesverbaleve të takimeve të ekipit menaxhues për draftimin e statutit të komunave me shumicë serbe, të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, anëtarët e tij kanë kërkuar që Kosova ta përpilojë një ligj të veçante për krijimin e asociacionit, por nuk është e qartë nëse kërkohen edhe ndryshime kushtetuese, thuhet në procesverbalet e takimeve të siguruara nga BIRN.
Në këto procesverbale, në raste të ndara përmendet përpilimi i një ligji të veçantë dhe përpilimi i një “ligji kushtetues”.
Milena Nikoliq, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lista Serbe, citohet të ketë thënë që serbët duhet të luftojnë për më të mirën e mundshme në draftimin e statutit.
“Ajo dhe deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës, do të propozonin një lex specialis [ligj të veçantë], ligj i cili do të njohë Asociacionin dhe t’i japë kompetenca ligjore të rëndësishme, në mënyre që të ketë pavarësinë e nevojshme në raport me autoritetet qendrore në Prishtinë”, thuhet në këto transkripte.
Në praktikën e ligjit serb, ligji kushtetues është një ligj me fuqi më të madhe se ligjet normale dhe miratohet njëjtë sikur Kushtetuta, me shumicën e dy të tretave të votave. Në Serbi, ligji kushtetues është miratuar vetëm një herë, në vitin 2006, kur ishte miratuar bashkë me Kushtetutën dhe parashikoi se si do të hyjë në fuqi Kushtetuta.
Referuar transkripteve të mbledhjeve të ekipit menaxhues për draftimin e statutit të Asociacionit, të cilat kanë nisur më 4 maj, thuhet se ky statut duhet të përfundojë më 4 gusht me kërkesën e Bashkimit Europian.
“BE paraprakisht ka informuar palët lidhur me anëtarët e Ekipit Menaxhues dhe punën e tyre në draftimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila ka nisur më 4 maj dhe draftimi [i statutit] duhet të përfundojë më 4 gusht 2018”, thuhet në njërin nga transkriptet.
Sipas trasnkripteve, thuhet që Misioni i OSBE-së në Kosovë ka ofruar ndihmën ligjore në procesin e draftimit të statutit, por ekipi menaxhaues ka refuzuar ndihmën ligjore sepse ka thënë se kanë ekspert të mjaftueshëm nga katër komunat serbe.
Por, shefi i misioni, Jan Braathu u ka thënë anëtarëve të Ekipit Menaxhues se misioni që ai drejton nuk ka fuqi të bëjë presion politik, ndërsa zëvendësi i tij, Killian Wahl ka sugjeruar që çështjet e pazgjidhura të kalojnë në diskutim në nivelin politik të dialogut.
Tutje ai është cituar të ketë thënë që hapi i parë është draftimi i statutit, ndërsa hapi i dytë do të jetë ndryshimi i kornizës ligjore.
Trepça dhe Ujmani “t’i kalojnë në kompetencë Asociacionit”
Në takime të ndara, ekipi menaxhues ka takuar përfaqësuesit e sektorëve të ndryshme në komunat me shumicë serbe, të cilët kanë propozuar/theksuar nevojën e sektorëve të ndryshme, si arsimi dhe shëndetësia, të cilat është kërkuar të mbesin brenda sistemit serb.
Më saktë është propozuar që sistemi shëndetësor i komunave me shumicë sebe të jetë i lidhur me sistemin shëndetësor në Serbi, ngase siç thuhet Kosova nuk ka kuadro profesional të mirë, ndërsa në arsim është kërkuar që shkollat të punojnë me plan programet e Serbisë.
Ndërsa shefat e ndërmarrjeve publike, theksuan nevojën për asetet e ndërmarrjeve publike, si Trepça dhe Ujmani, të mbesin të pavarura deri në themelimin e Asociacionit, dhe më pas të menaxhohen nga ata.
Në takimet me ekipit menaxhues, drejtori i Trepçës në veri, Jovan Dimkic ka propozuar që të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe publike të kalojnë nën menaxhimin e ascociacionit, pas themelimit të tij.
Me këto kërkesa është pajtuar edhe drejtori i Ujmanit, Srdjan vuloviq, i cili ka thënë që pavarësia ekonomike është parakusht për zhvillimin ekonomik të komunave serbe.
Anëtarët e ekipit menaxhues për draftimi ne statutit janë: Vinka Radosavleviq, koordinatore; Dejan Radojkoviq; Igor Kallamar, anëtar dhe Svetislav Durleviq, anëtar.