Pas reshjeve të rënda të shiut dhe breshrit me madhësinë e një lajthie, Komuna Mogila shpalli fatkeqësi natyrore. Fshatrat Srpc e Poshtme, Ivanjevc, Berancë dhe Vasharejca janë vendet më të goditura.
Bujqit thonë se gjithçka është shkatërruar.
“Janë shkatërruar, për 15-20 minuta u shkatërrua e gjithë fusha. Gjithçka është goditur- nga vreshtat, pemëtaria, duhani, sepse fshati ynë është kryesisht një zonë e duhanit, kryesisht ne merremi me duhan. Nga duhani nuk ka mbetur asgjë”, u shpreh Dragi Qebakoski – bujk.
Është shkatërruar edhe gruri. Vendasit thonë se nuk u paguhet ta korrin.
“Gruri ndoshta është shkatërruar nga 85 deri më 90 për qind, ndërsa kulturat e verës njëqind për qind. Unë gjithsej kam dëm prej 10 deri më 15 mijë euro. Shpresojmë se shteti do të na del në ndihmë, nëse mund të na paguaj diçka nga dëmet, nëse ka mundësi”, tha Dimçe Veljançevski – bujk.
Nga Komuna e Mogilës u bënë thirrje qytetarëve që ti paraqesin dëmet e tyre.
“Do tu japim disa ditë pune që të mund të gjithë bujqit të vijnë në Komunën e Mogilës që ti paraqesin dëmet. Dhe pastaj vlerësimi do të bëhet në teren. Është e dukshme se ka dëme të mëdha në prodhimet bujqësore në fakt më së shumti dëme ka në fushat e duhanit”, u shpreh Jasmina Gulevska – kryetare e komunës Mogilë.
Pjesa më e madhe e bujqve nuk i kanë siguruar hapësirat e tyre bujqësore. Një pjesë për shkak të mungesës së vetisë për ta bërë këtë gjë , ndërsa të tjerë thonë se disa nga kompanitë e sigurimeve nuk ua kanë siguruar të mbjellat edhe pse kanë aplikuar para 20 ditësh sepse ka pasur shumë ankesa për dëme nga breshëri në Resnjë.