Tërhiqet Qeveria, pezullohet marrëveshja për tiketën 5 euroshe


Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, njofton se ka marrë vendim që të pezulloj marrëveshjen për tiketa ngjitëse në automjete, deri në marrjen e një vendimi tjetër përfundimtar për këtë çështje.

Ai ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik ka gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën.
“Unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: Raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmoniziar me zyret ligjore të MI, MAP dhe MD. Vendimin përfundimtar do ta marrim pas rishikimit të funksionimit të sistemeve dhe standardeve të kontrolleve të brendshme të ministrisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, ditë më parë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Auto Control Kosova”, për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve, kostoja e së cilës është 4 euro e 99 centë.
Kohëzgjatja e kësaj marrëveshje ishte për një periudhë prej pesë vitesh, derisa ishte paraparë të nis së zbatuari nga 1 shtatori i këtij viti.