Rilindja Demokratike Kombëtare shënoi 21 vjetorin e ngjarjeve të 9 korrikut të vitit 1997, një datë që siç thonë ata, edhe sot e kësaj dite vazhdon të ngjallë emocione në kujtesën e qytetarëve të Gostivarit dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Në shënimin e kësaj ngjarje mori pjesë kryetari i RDK-së Vesel Memedi, së bashku me shumë anëtarë tjerë, këshilltarë në këshillin komunal, ku lanë buqete me lule të freskëta në varrezat dhe bustet e tre dëshmorëve të rënë në mbrojtje të flamurit kombëtarë.
“Ngjarjet e 9 korrikut të vitit 1997 edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të sjellin kujtesën e ngjarjeve më tragjike që kanë ndodhë në Komunën e Gostivarit. Në këto ngjarje tragjike në mbrojtje të flamurit ranë tre dëshmorë, Shpend Iseini, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti, dhe u maltretuan me qindra dhe mijëra qytetarë të Gostivarit që kishin dalë në protestë në mbrotje të flamurit kombëtarë që ishte larguar nga ndërtesa e Komunës së Gostivarit. Për gjeneratën e re, duhet ritheksuar se sot e kësaj dite këto ngjarje të 9 korrikut të vitit 1997 vazhdojnë të ngelin enigmë me shumë mjegullima për popullatën në përgjithësi, dhe vazhdon të ngeli një sfidë e madhe për gjeneratën e politikanëve të sodit dhe të nesërm të shpalosin të vërtetën e plotë të kësaj ngjarje tragjike, me qëllim që e njëjta të mos përsëritet kurrë”, thuhet në kumtesë.
Ata shtojnë se për të kuptuar më drejtë këto ngjarje tragjike, gjenerata e re duhet të dijë kontekstin mbarëshqiptarë se këto ngjarje të rënda të vitit 1997 ndodhën në momentet më të rënda për shtetin shqiptarë sepse ballafaqohej me skemat piramidale që shkaktuan trazira të rënda me viktima tragjike në shtet, ndërsa Kosova ballafaqohej me përgatitjet e fundit për t’u ballafaquar me okupimin e rëndë të regjimit të Millosheviqit, që shumë shpejt rezultoi me luftën e rëndë por të lavdishme të Kosovës.
“Gjenerata e re është dëshmitare, fatkeqësisht, se edhe pas 21 vitesh, ngjarje të kësaj natyre vazhdojnë të na ndodhin edhe sot e kësaj dite, me tendencë të ngjashme për t’u fsheh e vërteta edhe për shumë fenomene tjera që e kanë karakterizuar Maqedoninë e pas vitit 1997, por edhe para këtij viti. Fatkeqësisht, amaneti i dëshmorëve të 9 korrikut dhe shumë dëshmorëve tjerë vazhdon të ngeli i përgjysmuar dhe i vonuar tej mase, dhe kërkohet një angazhim dhe sakrificë sublime e gjeneratës së re për të realizuar këtë amanet. Le të jetë ky përvjetor i 21 një frymëzim shtesë i kësaj gjenerate, për realizimin e amanetit të të gjithë dëshmorëve të kombit në përgjithësi”, thuhet në kumtesën e RDK-së.