Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sot (e hënë) do të takohen sërish në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiçit. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor, kur procesi i dialogut, i cili u ndërpre në shtator të vitit 2020, zyrtarisht rifilloi.
Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy zyrtarët u pajtuan që të vazhdojnë takimet.
Siç njoftoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, bisedimet midis Kurtit dhe Vuçiçit do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe për hapat e mëtejmë në procesin e dialogut.
Beogradi zyrtar insiston që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi. Kosova, në këtë drejtim, veçmas ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç javën e kaluar tha se delegacioni serb po shkon në këtë takim në Bruksel me “besimin më të madh” , por shtoi se nuk ishte i sigurt nëse përparimi është i mundur.
Ky do të jetë takimi i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për pjesen e parë të këtij viti, pasi në institucionet evropiane zyrtarisht nis sezoni i pushimeve verore.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik.
Në tetor të vitit 2012, ky proces kaloi nga niveli teknik në atë politik, kur kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq nisën negociatat.
Në prill të vitit 2013, palët arritën Marrëveshjen e Brukselit, por shumica e marrëveshjeve që janë pjesë e saj, ende nuk janë zbatuar. Kosova heziton që ta zbatojë Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit për shkak se kjo marrëveshje, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës ishte thënë se nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proves është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.