Kryeministri Albin Kurti bashkë me gruan dhe vajzën e tij e ka ndjekur premierën e filmit kosovar me metrazh të shkurtër “Pa vend” që është në garë për “Palmën e Artë” në Festivalin e Kanës.
“Nga 3.739 filma të metrazhit të shkurtër nga mbarë bota komiteti selektues i Festivalit të Cannes sivjet i ka përzgjedhur 10 sosh.
Në mesin e tyre është edhe filmi nga Kosova “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda i cili sot mori duartrokitje të gjata nga publiku këtu në sallën Debussy në Cannes. Ishte kjo premiera botërore e këtij filmi kurse në fillim të muajit gusht ai do të shfaqet në Festivalin Dokufest në Prizren”.
“Urojmë që nesër mbrëma në ceremoninë përmbyllëse të edicionit 74 kur shpallen fituesit e Palmës së Artë të këtij festivali prestigjioz të ngadhënjejë filmi ynë.
Këtu është shfaqur edhe një film tjetër nga Kosova, artistik e i metrazhit të gjatë, “Luaneshat e Kodrës”, i regjisores së re Luàna Bajrami, i cili garon për Kamerën e Artë”.
Ai tha se mbështetja e qeverisë së Kosovës për filmin kosovar do të rritet për vitet në vijim, “sepse në këtë fushë arti e kulture po shpërthejnë talentet tona e po na bëjnë krenarë në arenën ndërkombëtare”.