Mërgimtarët ankohen për pritje të gjata në hyrje të Maqedonisë, në Tabanoc


Kolonave të gjata të pritjes në pikën kufitare në Tabanoc u erdhi fundi vetëm për pak kohë, sa edhe zgjati promovimi i fushatës nga drejtuesit e policisë për ndërgjegjësimin e shoferëve që të kenë kujdes në timon gjatë udhëtimeve të gjata.

“Më shumë kemi pritur këtu dhe në Serbi se tjetër kund jo”.
“Shumë mirë kemi kaluar përveç kolonave këtu që krijohet, dihet si çdo herë prej te serbët dhe në pjesën tonë”.
“Jo, u përpoqëm të kalojmë disi. Në çfarë mënyrë? Në secilën mënyrë të mundshme! Për Shembull? U munduam disi, që ta mësojmë rendin”.

Për mos funksionimin e sistemit “One Stop Shop” në Tabanoc, ministri i brendshëm Spasovski tha se janë duke punuar për një modus të ri që do të lehtësonte qarkullimin ndërkufitar.
Bëhet analizë për të krijuar një kornizë që do të ishte vetëm një kontroll në hyrje të shteteve dhe vetëm një kontroll e tyre në dalje nga ne – tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Në fletushkat që krerët e ministrisë u shpërndanë udhëtarëve, kishte gabime drejtshkrimore në gjuhen shqipe. Për zv.ministrin Nazim Bushin gabimet në gjuhën shqipe nuk janë me rëndësi.
Me rëndësi është që ka materiale në gjuhën shqipe mirëpo çështje teknike janë ato që do të rregullohen me kohë kështu që do e korrigjojmë. Turistët shqiptarë e ndiejnë veten të fyer për shkak këtyre gabimeve! Në rregull, më mirë të ketë diçka shqip edhe me gabime teknike se sa mos të ketë fare, kështu që kemi shqip e gabimet rregullohen – u shpreh Nazim Bushi, Zëvendsministër i Brendshëm.

Fajin për gabimet drejtshkrimore, drejtuesja e Këshillit Republikan Për Siguri Gordana Kozhuvarovska i hedh tek përkthyesit.
Ato janë shkruar në gjashtë gjuhë, ne kemi përkthyes të autorizuar nga Kuvendi dhe ai ashtu e ka përkthyer. Dmth ai është përkthyes zyrtar që punon në Kuvend. A do të merrni masa të korrigjoni këto gabime? Ai na ka thënë se ky është version i mundshëm dhe mundet edhe ashtu të publikohet – theksoi Gordana Kozhuvarovska, Kryetare e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor.

Sipas drejtuesve të policisë fushatat e këtilla për ndërgjegjësimin e shoferëve kanë ndikuar në uljen e numrit të aksidenteve në trafik.