Nesër realizohet fluturimi i parë Cyrih-Kukës


Të premten, në aeroportin e Kukësit, do të aterrojë aeroplani i parë nga Cyrihu, çka shënon edhe nisjen e fluturimeve tregtare në këtë aeroport të përfunduar rishtazi.
Përmes një njoftimi, bëhet me dije se më 9 korrik në aeroportin e Kukësit do të ulet ‘Helvetic Airline’ nga Cyrihu, fluturim i organizuar nga operatori turistik me bazë në Cyrih, ‘Illyrian Eagle’.
Fluturimi i kthimit do të kryhet po atë ditë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ‘Zayed-Flatrat e Veriut’ ka një pistë prej 2.2 kilometrash dhe kullën e tij të vëzhgimit, ndërsa në pjesën e pistës është projektuar të mbajë 3 aeroplanë njëkohësisht, ndërsa brenda një ore, 4 avionë mund të nisen nga Aeroporti i Kukësit.
Terminali zë një vend prej 3.500 m2, ka 2 porta hyrëse dhe brenda tij një zonë muzeale përkujton luftën e Kosovës, e cila ishte gjithashtu pika fillestare e këtij aeroporti, si një dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në ndihmë për refugjatët e luftës.

Aeroporti, sipas Qeverisë së Shqipërisë, do të shërbejë kryesisht për fluturime me çmime të ulëta dhe pritet të shfrytëzohet nga shqiptarët që synim kanë Shqipërinë, Kosovën e më gjerë.
“Nga 15 korriku dhe duke filluar nga 1€ + taksat, Air Albania fluturon nga ‘Flatrat e Veriut’ të Kukësit drejt Cyrihut, Stambollit dhe të gjithë botës”, thuhet në një njoftim të mëhershëm të këtij aeroporti në Facebook.