Fatura më të larta të energjisë elektrike, nëse nuk ulet TVSH-ja nga 18 në 5 për qind


Deputetët në Komisionin për Financa dhe Buxhet debatojnë tashmë dy ditë propozimin e Qeverisë për të ulur TVSH-në e energjisë elektrike nga 18 në 5 për qind. Partitë e opozitës kanë paraqitur pesë amendamente duke kërkuar që masa të zbatohet si për amvisëritë ashtu edhe për bizneset.
Mund të shohim që kemi 60 mijë të tjerë të papunë, 6000 ndërmarrje të mbyllura, ato duhet të kenë ndihmë më thelbësore nga shteti – tha Bojan Stojanovski- deputet i VMRO DPMNE-së.

Pse duhet të ketë lehtësime edhe për bizneset? Sepse çdo rritje e rrymës, do ta rrisë çmimin e prodhimtarisë – u shpreh Ilire Dauti- deputete e ASH-së.
Por, sipas pushtetit, ky propozim nuk është pranuar sepse personat juridik tashmë kanë leverdi lidhur me rrymën që e shfrytëzojnë.

Konsumatorët tjerë furnizohen me energji elektrike në tregun e lirë dhe atje drejtpërdrejtë bisedojnë me shitësit e energjisë elektrike, vetë e kontraktojnë çmimin, dikush më pak e dikush më shumë, varësisht nga konsumi që kanë dhe që është më e rëndësishme, të gjithë personat juridik kanë të drejtë kthim të TVSH-së – u shpreh Dimitar Kovaçevski, zëvendësministër i financave.

Ulja e TVSH-së nga 18 në 5% për energjinë elektrike duhej të fillojë nga data 1 e këtij muaji kur hyri në fuqi çmimi i shtrenjtuar i energjisë elektrike prej 12.3%. Nëse ndryshimet ligjore për tatim nuk marrin dritë jeshile në ditët në vijim në Kuvend, qytetarët muajin e ardhshëm ka mundësi të paguajnë më shumë për energji elektrike.