Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, deklaroi se janë përgatitur tre skenarë për fillimin e vitit të ri shkollor, dhe për këtë kanë dorëzuar material deri tek Shtabi i Krizës. Carovska tha se vijimi i procesit mësimor për vitin e ri shkollor do të varet nga situata epidemiologjike në vend dhe se për këtë do të vendosin institucionet kompetente në vend. Numri një i arsimit theksoi se ajo si ministre dhe kryeministri së bashku me qeverinë dëshirojnë që viti i ardhshëm shkollor të fillojë me prezencë fizike.
Carovska – “Sistemi arsimor është i përgatitur për tre skenarë, i pari është hapja e plotë e shkollave, në pajtim me protokollet shëndetësore, që të mund të gjithë nxënësit të ulen në bankat e tyre, për të gjitha klasat dhe të gjitha vitet. Ky është skenari më i dëshirueshëm, por në rast se gjendja epidemiologjike e lejon një gjë të tillë dhe për këtë do të vendos Komisioni për Sëmundje Ngjitëse. Por, ne si Ministri për Arsim kemi përgatitur edhe dy skenarë të tjerë, një që ka të bëj me mësimin e kombinuar online dhe me prezencë fizike, dhe kemi skenarin e tretë që mësimi të realizohet në grupe, një javë një grup i nxënësve, javën tjetër një grup tjetër i nxënësve”.
Ndërkaq, Carovska tha se pavarësisht kohëzgjatjes së shkurtët për të përgaditur modelin e kombinuar, atë me prani fizike dhe onllajn, vitin e mbaruar shkollor e cilësoi si të përfunduar me sukses. Sipas saj këtë e dëshmoi edhe UNICEF, ndërsa shtoi se presin që gjatë verës dhe fillimit të shtatorit gjendja të jetë e mirë, në mënyrë që të zbatohet skenari i parë.