Personalisht, do të më marrë malli për Angela Merkelin, por mbi të gjitha, ajo do t’i mungojë gjithë Europës, deklaroi kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.
”Është një person i cili gjithmonë është përpjekur të gjejë kompromise, por me karakter, me forcë, me mirëkuptim dhe gjithmonë ka treguar respekt për të gjithë”, theksoi ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në samitin e fundit europian për udhëheqësen gjermane, e cila kaloi 16 vite në kancelarinë më të madhe të ekonomisë europiane, Bettel e quajti Merkelin ”një personalitet të madh”.
”Vitet e fundit Merkel ishte shumë shpesh personi që çoi Europën në pikën e kthesës duke sjellë ndryshime”, deklaroi ai.
“Shpresoj që kancelari i ri gjerman gjithashtu të demonstrojë këtë gatishmëri për kompromis dhe bashkëpunim në Europë”, shtoi Bettel.