Çdo person ka pësuar të paktën një herë në jetë djegie të lehta të lëkurës të shkaktuara nga ekspozimi i pakujdesshëm në diell.
Pas çdo djegieje të tillë pasojnë zbokthimi dhe qërimi i lëkurës, andaj është shumë me rëndësi që të zbatohet kujdes i veçantë dhe adekuat për lëkurën, veçmas gjatë periudhës së verës.
Në vijim janë disa udhëzime praktike për të shmangur telashet e padëshiruara dhe irrituese të lëkurës në sezonin e pushimeve.
Përdorimi i kremrave
Nevoja për të hequr me duar lëkurën e vd*ekur trupore bëhet e domosdoshme, porse këshillohet që një gjë e tillë assesi të mos bëhet.
Kjo pasi që çdo heqje e përshpejtuar e lëkurës së djegur mund ta ngadalësojë procesin e rigjenerimit të saj. Mënyra më e mirë e veprimit është që të lejohet që lëkura të “zhvishet vetvetiu” dhe të lirohet nga qelizat e vd*ekura.
Për këtë duhet përdorur kremra dhe losione hidratuese, të cilat e ushqejnë lëkurën. Porse një tjetër preparat i efektshëm është edhe mjalti.
Procesi i qërimit të lëkurës mund të zgjasë dy deri në katër ditë, pasi që skuqja nga djegia të zhduket, apo edhe pas shtatë ditësh, varësisht nga ash*përsia e djegies së pësuar.
Mjerisht, zbokthimi i lëkurës së djegur nuk mund të parandalohet. Është me rëndësi që të përdoren rregullisht kremrat e diellit dhe të shmanget ekspozimi i tepruar para rrezeve të diellit.
Ushqimi i lëkurës
Mirëpo duhet ditur se qërimi i lëkurës ka një qëllim specifik. Në këtë mënyrë, trupi i eliminon qelizat e dëmtuara të lëkurës si rrjedhojë e ekspozimit në rrezet UV të diellit.
Një tjetër lajm i mirë lidhur me procesin është se procesi i shërimit mund të përshpejtohet me anë të disa preparateve që tashmë gjenden në shtëpitë e akëcilit.
Përveç përdorimit të kremrave dhe losioneve hidratuese, si dhe mjaltit, për ushqimin dhe përgatitjen e lëkurës mund të përdoret edhe mielli i tërshërës të njomur në qumësht.
Porse një ndihmesë efikase për lehtësimin e pasojave të djegies janë edhe kompresat e ftohta. Për këtë mund të përdoren peshqirët e njomur në qumësht, por edhe në çajin jeshil, i cili ka veti të shumta ushqyese për lëkurën dhe trupin në përgjithësi.