Izraeli ka vendosur përsëri kufizime pas rritjes së infeksioneve të reja me koronavirus, të shënuar ditëve të fundit.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se maskat duhet të mbahen përsëri në Aeroportin Ndërkombëtar “Ben Gurion”, në pikat kufitare dhe në objektet mjekësore, shkruajnë mediat izraelite.
Të vaksinuarit ose ata që janë shëruar, duhen dërguar në karantinë në të ardhmen nëse kanë pasur kontakt me një person i cili është infektuar nga ndonjë “variant i rrezikshëm” i virusit korona, transmeton albinfo.ch. Kjo vlen edhe për kontaktet me njerëz të infektuar në aeroplanë.
Deri më tani, ata që janë vaksinuar dhe ata që janë shëruar ishin të përjashtuar nga detyrimi për karantinë.
Sot ishte dita e dytë me radhë, që u regjistruan më shumë se 100 raste të reja me koronavirus brenda 24 orëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, përcjell albinfo.ch. Informacioni zyrtar thotë se shumica e tyre janë të lidhura me variantin më ngjitës, “Delta” të virusit.