Përfaqësueset në Euro 2020 mund të përballen me gjoba nëse lojtarët vazhdojnë të lëvizin pijet e ofruara nga sponsorët në konferencat për media.
Të hënën, kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, largoi dy shishe të Coca-Colas dhe inkurajoi njerëzit që të pinë ujë.
Në ditën tjetër, mesfushori francez Paul Pogba, që është mysliman, largoi një shishe të birrës Heineken.
Mesfushori i Italisë, Manuel Locatelli, të mërkurën po ashtu zëvendësoi Coca-Colan me ujë.
“UEFA ua ka rikujtuar ekipeve pjesëmarrëse se partneritetet janë kyçe për të ofruar turneun dhe për të siguruar zhvillimin e futbollit nëpër Evropë, përfshirë edhe futbollin e të rinjve dhe të grave”, ka thënë UEFA të enjten.
Drejtori i UEFA për Euro 2020, Martin Kallen, ka thënë se lojtarët me kontratë janë të obliguar të ndjekin rregullat.
Mirëpo, ai ka thënë se kupton veprimet e lojtarëve të cilët, si Pogba, e kanë bërë një gjë të tillë për arsye fetare.
UEFA nuk planifikon të gjobisë direkt lojtarët dhe se çdo masë adresohet te federata.