Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi përmes faqes së tij në facebook ka informuar se Qeveria ka ndarë mjete financiare edhe për Bogovinën, Vrapçishin dhe Gostivarin dhe me këtë ka dëshmuar se kujdeset për të gjitha komunat njëjtë, pa dallim se nga kuadër i cilës parti udhëhiqen.
Sipas Grubit me vendim të qeverisë për komunën e Bogovinës janë ndarë 1.000.000.00 denar me qëllim të zëvendësimit të poçeve të vjetra me poçe elektrik LED, për komunën e Vrapçishtit janë ndarë 4.000.000.00 denar për blerjen e makinave për pastrimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e pastërtisë publike, kurse për Gostivarin janë ndarë 1.000.000.00 denar me qëllim të përgatitjes së projektit ideor për rrethrrotullimin në kryqëzimin me rugën rajonale.
Këto janë vetëm një pjesë e mjeteve që Qeveria ka ndarë për këto komuna, përkatësisht për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve të këtyre komunave. Po për këto komuna janë ndarë edhe mjete përmes koncesionerit TAV, mjete këto të cilat edhe zyrtarisht kanë nis të shpërndahen.