Në UT u promovua libri “Arsimi në demokracinë e brishtë” i autorit Prof. Dr. Bardhyl Musai


Në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës sot u bë promovimi i veprës “Arsimi në demokracinë e brishtë” i autorit Prof.Dr. Bardhyl Musai. Aktivitetin e këtij promovimi e shpalli të hapur dekani i Fakultetit Pedagogjik të UT-së, Prof.Dr. Fadbi Osmani.

Ai e falënderoi autorin e veprës Prof.Dr. Bardhyl Musai për gatishmërinë që ka treguar për të bërë promovimin e veprës së tij para studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit Pedagogjik dhe Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës. “Dëshiroj që në emër të Rektorit të Universitetit të Tetovës Prof.Dr. Vullnet Ameti dhe në emër të dy njësive tona akademike që t’i shprehim falënderimet tona profesor Bardhyl Musait, që edhe në kohë pandemie ai e bëri të mundur që në Universitetin tonë të promovojë veprën e tij të fundit “Arsimi në demokracinë e brishtë”. Uroj që profesori edhe në të ardhmen të na sjellë botime të reja, dhe të gjithë ne e në veçanti studentët tanë të mësojnë nga veprat e tij pasi që profesori ka shumë njohuri dhe një eksperiencë shumë të gjatë në arsim” – u shpreh Prof.Dr. Fadbi Osmani.

Vlerësime për librin bëri prodekani për shkencë në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës Prof.Dr. Rabije Murati. Sipas saj, libri i profesor Bardhyl Musait është një vepër me vlera të mëdha shkencore, pedagogjike, metodike e didaktike. “Me sa e kam shfletuar librin “Arsimi në demokracinë e brishtë” të autorit Prof.Dr. Bardhyl Musai mund të konludoj se është një shkrim me vlera të mëdha shkencore, pedagogjike, metodike e didaktike ku jep edhe detaje dhe sqarime të mirëfillta jo vetëm për politikën arsimore por edhe për shumë tematika dhe çështje të tjera të rëndësishme arsimore që tek lexuesi zgjojnë kureshtje, interes për të mësuar diçka më shumë në këtë drejtim. Siç thotë edhe vetë autori në libër, Libri është shkruar prej meje, por që t’u shërbejë të tjerëve. Ai tashmë i takon lexuesit” theksoi Prof.Dr Rabije Murati.

Nga ana tjetër prodekani për shkencë i Fakultetit Filozofik, Prof.Dr. Musa Musai, në vlerësimin e tij për veprën “Arsimi në demokracinë e brishtë” tha se profesori Bardhyl Musai në këtë libër ka bërë një evokim të shkëlqyer ngjarjesh dhe procesesh që kryesisht tregojnë për brengën e autorit e që në parim më e rëndësishme është arsimi dhe zhvillimet në lidhje me të në realitetin socio-politik në viset shqiptare, më saktë në Republikën e Shqipërisë. ‘Këtu kryesisht duke përfshirë periudhën pas sistemit monist dhe dilemat e asaj periudhe që shoqëria shqiptare, e veçmas zona e Elbasanit i ka shtruar si dilema sa i përket shkollës pedagogjike të njohur Normales dhe rikonstruimeve dhe ndryshimeve të nevojshme që vet autori i sheh si kusht për të avancuar pozitën e shkollës në fjalë dhe për të ngritur nivelin e zhvillimit të traditës me risi duke marrë për bazë Robert Dotran dhe rastin e shkollës së Gjenevës në vitin 1924, e më pas për të elaboruar edhe zhvillimet me ngritjen e kuadrove mësimdhënëse në sistemin arsimor të Austrisë” – tha Prof.Dr. Musa Musai.

Autori i librit Bardhyl Musai në fjalën e tij falënderoi drejtuesit e Fakultetit Pedagogjik dhe atij Filozofik për nderin që i kanë bërë duke shpresuar se ky libër në të ardhmen do t’u shërbejë të gjithë studiuesve. “Është kënaqësi që sot ndodhem këtu në mesin tuaj sepse shikoj se këtu jemi tre breza, është brezi i profesorëve dhe unë bashkë me ta që kemi një karrierë të tillë dhe kemi qenë në një sistem të mëparshëm dhe tani jemi në një sistem demokratik që unë në librin tim e kam quajtur të “brishtë” dhe kam gjetur mbështetje për këtë. Brezi i dytë është i atyre të cilët kanë qenë ish-studentë të mi dhe sot janë kolegë të mi dhe brezi i tretë jeni Ju studentë. Kjo është gjëja më e mirë për një universitet kur ka tre breza të tillë dhe kjo siguron vazhdimësi. Është brezi i atyre profesorëve që e kanë mbaruar çështjen e avancimit në karrierë, por kujdesen për ata që janë në procesin e karrierës dhe ata që fillojnë përgatitjet pra ju studentë.

Unë sjell këtë libër ndryshe nga librat e tjerë që janë shkruar më parë dhe dua të jem i sinqertë dhe i hapur me Ju, jam menduar gati më shumë se dy vjet dhe thosha me vete ta botoj apo mos ta botoj dhe vendosa që ta botoj. Në libër ashtu sic e tha dhe e kishte trajtuar shumë bukur profesori Musa Musai se vërehej një lloj rebelizmi dhe më vjen shumë mirë. Unë jo se kam një shpirt rebel, por në libër është shprehur një shenjë rebelizmi por çështja është që në konceptin tim, intelektuali në shoqëri është një person që nuk pajtohet gjithmonë me shtetin, me qeverinë, sepse në qoftë se themi që kjo gjë nuk është mirë atëherë ta bëjmë mirë pra gjithmonë ka vend për një përmirësim” – deklaroi mes tjerash Prof.Dr. Bardhyl Musai.

Doc.Dr. Ardita Abduli – Reka në pika të shkurtra prezantoi disa të dhëna mbi biografinë e profesor Bardhyl Musai. “Profesor Bardhyl Musai është profesor në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës dhe drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim Demokratik. Është studiues në fushat e shkencave të edukimit dhe politikave arsimore me përvojë më shumë se 40-vjecare në mësimdhënie e kërkimin shkencor. Karrierën e ka filluar si mësues në vitin 1978 dhe më pas zëvendësdrejtor në shkollën 8 vjeçare Cërrik, metodist në Kabinetin Pedagogjik e më pas inspektor në Drejtorinë Arsimore në Elbasan. Në vitin 1993 fillon si pedagog në Departamentin e Psikologjisë dhe Edukimit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” më pas përgjegjës departamenti dhe Rektor në vitet 1996 – 1997.

Ka kryer kualifikime afatshkurtra në disa vende të Evropës dhe SHBA-ve, specializimi pasuniversitare në Uells, Angli, Skoci dhe studime postdoktorale në Universitetin e Edinburgut, Skoci. Profesor Bardhyl Musai ka botuar artikuj, libra, dokumente studimore e hulumtuese për politikat arsimore, psikologjinë e edukimit, metodologjinë e mësimdhënies etj. Botimet e tij si autor, bashkautor e botues janë të shumta, një pjesë e të cilave në gjuhën angleze, të botuara në libra e revista ndërkombëtare” – u shpreh mes tjerash Doc.Dr. Ardita Abduli – Reka.