Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, sot mori pjesë në panelin debatues të organizuar enkas për të rinjtë nga shoqata “LEAD”. Në këtë eveniment të titulluar “Nga e premtuara në të realizuarën”, Ganiu bashkë me kryetarin e qytetit të Shkupit, Petre Shilegov dhe kryetarët e komunave të Karposhit, Stefan Bogoev dhe të Gjorçe Petrovit, Aleksandar Naumovski prezantuan angazhimet e tyre kryesore për të rinjtë, të përfshira edhe me programet për zgjedhjet lokale të mbajtura në vitin 2017 dhe shkallën e plotësimit të tyre.
“Në këtë debat, ku mes të rinjve të komunave të tjera ishin edhe të rinjë nga Çairi, të pranishmit i përkujtova se ndjehem shumë i veçantë kur jam në mesin e faktorit të vërtetë dhe më të çmueshëm të shoqërisë sonë – rinisë. Gjithashtu vura në dukje se rinia është inspirimi dhe kujtimi im se duhet të angazhohem sa më shumë për zhvillimin e perspektivës rinore dhe të ardhmes së tyre”, ka thënë Ganiu.
Ai ka prezantuar edhe faktet se në Komunën e Çairit tanimë funksionon Qendra rinore që është hapur në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës; se Komuna ka përcaktuar edhe administratorin për çështje rinore konform dispozitave ligjore. “Jemi në hap me dispozitat e ligjit për konstituimin e Këshillit Rinor Lokal, të cilin konform ligjit të ri e bëmë pjesë të Statutit të Komunës dhe tani po punojmë në drejtim të organizimit të mbledhjes konstituive; kemi hapur leximoren për të rinjtë, ndihmojmë për çdo vit organizatat rinore dhe klubet sportive me mjete financiare nga Buxheti ynë për realizimin e projekteve të tyre”, është shprehur kreu i Çairit, Visar Ganiu.