NISMA zyrtarizon kandidatët për kryetar të Gjakovës dhe Klinës


Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, sot ka qëndruar në Gjakovë dhe Klinë, për të takuar strukturat e reja drejtuese, të cilat kanë dalur nga zgjedhjet e brendshme të kësaj partie.

Limaj, përmes një postimi në faqen zyrtare të kësaj partie, ka thënë se drejtuesit e degëve të Nismës Socialdemokrate në Gjakovë dhe Klinë i ka informuar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, si dhe ka bashkëbiseduar rreth përgatitjeve që këto dy degë janë duke bërë për zgjedhje lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.
Gjithashtu, kreu i Nismës ka njoftuar se tashmë janë zyrtarizuar edhe kandidaturat për kryetar komune në këto dy komuna; Fazli Hoxha kandidat për Gjakovë ndërsa Naser Morina kandidat për kryetar të Klinës.

Postimi i plotë i Limajt:
Turin e takimeve me strukturat e reja drejtuese të degëve, të dala nga procesi i brendshëm zgjedhor i Nismës Socialdemokrate, të cilin e kemi përmbyllur javë më parë, e nisëm sot në Gjakovë dhe Klinë.

Strukturat tona drejtuese në Gjakovë e Klinë i informova rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, dhe bashkë me ta bashkëbiseduam edhe rreth përgatitjeve që këto dy degë po bëjnë për zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.

Degët tona në Gjakovë dhe Klinë tashmë janë në fazën finale të përpilimit të listës së kandidatëve për asamble komunale, derisa kandidaturat për kryetar komune veç i kanë përmbyllur, ku në Gjakovë NISMA për kandidat për kryetar e ka z. Fazli Hoxha, ndërsa në Klinë z. Naser Morina.F.L