Qeveria vendos: Nafta dhe benzina do të shtrenjtohen me 3.5 denarë


Një taksë ekologjike prej 3.5 denarë do të paguhet si për dizelin ashtu edhe për benzinën. Kryeministri Zaev shpjegoi se çfarë do të thotë taksa mjedisore, e cila tashmë është përfshirë në rishikimin e buxhetit. Shpjegimi është se në këtë mënyrë vendi do të tregonte se po përpiqet të përdorë energjinë e gjelbër. Qeveria vlerëson se brenda një viti shteti do të mbledhë 34 milion euro nga kjo taksë dhe paratë do të përdoren për investime në burime të ripërtëritshme të energjisë.

“Taksa ekologjike do të jetë 3,5 denarë për naftën, me mesazh që të heqim dorë nga nafta dhe derivatet e naftës, që të kalojmë në përdorim të energjisë së gjelbër dhe të lëvizim me biçikletë apo trotinet. Me këtë rritje të çmimit të dizelit për shkak të taksës ekologjike, jo për shkak të rritjes së akcizës, mbetemi me çmimet më të ulëta në rajon edhe në pjesën e naftës edhe në pjesën e benzinës. Mesazhin qartë e dërgojmë për orientim të Qeverisë drejt agjendës së gjelbër”- deklaroi Zoran Zaev.
Nga VMRO DPMNE reagojnë se mënyra e Qeverisë për miratimin e taksës ekologjike për derivatet e naftës do t’i varfërojë qytetarët.

VMRO-DPMNE
“VMRO-DPMNE paralajmëronte, pushteti thoshte se është gënjeshtër ajo që sot Zaev e pranoi dhe njoftoi se do vendoset tatim i ri ekologjik për karburantin dizel. Për gjashtë muaj dizeli u shtrenjtua për 7.5 denarë, ndërsa tani sërish goditen qytetarët edhe ashtu të varfër, dhe ka shtrenjtim të serishëm prej 3.5 denarëve”.

Zaev pranon edhe se do ketë ulje të përkohshme të TVSH-së të energjisë elektrike. Nga 1 korriku TVSH-ja për rrymën do të zvogëlohet nga 18 në 5% dhe do të zgjasë një vit. Nga 1 korriku 2022 TVSH-ja do jetë 10%, që në vitin 2023 sërish të kthehet TVSH-ja prej 18% për energjinë elektrike.