Ka përfunduar dita e parë e samitit të G-7ës, në Cornwall, Angli, ku drejtuesit e shtatë vendeve të pasura demokratike synojnë të udhëheqin lu*ftën globale kundër pandemisë dhe të “rindërtojnë më mirë” drejt një të ardhmeje më të gjelbër, më të begatë dhe të barabartë.
Samiti organizohet nga Britania dhe ndiqet nga udhëheqës të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara. Përfaqësues nga Bashkimi Evropian gjithashtu po marrin pjesë, së bashku me të ftuar të tjerë –udhëheqësit e Australisë, Afrikës së Jugut dhe Koresë së Jugut. Kryeministri i Indisë mori pjesë përmes lidhjes videofonike.
“Ky është një takim që duhet vërtet të ndodhë”, tha Kryeministri Boris Johnson, organizator i këtij viti, ndërsa çeli seancën plenare të udhëheqësve. “Ne duhet të sigurohemi që të nxjerrim mësime nga pandemia, duhet të sigurohemi që të mos përsërisim disa nga gabimet që pa dyshim kemi bërë gjatë 18 muajve të fundit apo më shumë”.
Zoti Johnson tha se ai dëshiron që G-7 të “rindërtohet më e mirë, të rindërtohet më e gjelbër, të rindërtohet më e drejtë dhe të rindërtohet më e barabartë dhe në një mënyrë më neutrale për gjininë dhe ndoshta në një mënyrë më femërore”.
Ndërsa takimet e kaluara e G-7ës karakterizoheshin nga bankete luksoze, delegacione masive dhe grupe shoqëruese mediatike, seancat e këtij viti janë rreptësisht të kufizuara. Maskat, testimi i përditshëm për COVID-19 dhe protokollet e tjerë shëndetësorë janë një kujtesë e zymtë se kriza e koronavirusit nuk ka mbaruar aspak.
“Bota do të presë që G-7a të zbatojë vlerat tona të përbashkëta dhe fuqinë diplomatike, për sfidën e mposhtjes së pandemisë dhe udhëheqjen e një rikuperimi global”, tha zoti Johnson.