Snopçe: Nuk heqim dorë nga ligji për shtetësi


Opozita shqiptare pret që javën e ardhshme të mblidhet Komisioni për Mbrojte dhe Siguri, për të shqyrtuar propozim-Ligjin për shtetësi.

Grupi parlamentar i ASH-AAA-së është në negociata me të gjithë deputetët e përfshirë në diskutim, nga ku pret qasje konstruktive.
Deputeti Halil Snopçe thotë se qëllimi i opozitës është miratimi i ligjit me debat dhe jo imponimi i ligjit përmes mekanizmave tjera. “Shpresojmë që javën e ardhshme të ketë mbledhje të Komisionit.

Besojmë fuqishëm se edhe E Majta do të ketë mirëkuptim. Do ta kuptojë të vërtetën. Do të angazhohet për atë që thonë, pra se janë për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, janë për realizimin e të drejtave elementare”, tha Halil Snopçe, deputet i ASH-së.
Sipas Snopçes, partia “E Majta” ka keqkuptuar procedurën e propozimit, andaj pret që Dimitar Apasiev dhe Borisllav Kërmov si deputet të së “Majtës” të tërhiqen nga bllokada e procedurës. “Amendamente janë ndaj ligjit të parë të propozuar.

Pra amendamentet tona janë ndaj propozim-ndryshimeve dhe jo ndaj ligjit të vjetër, sepse ne kemi një propozim.
Apasiev nisi me fjalime të gjata dhe kur u pa se diskutimi u zgjat kryetari i komisionit e ndërpreu mbledhjen”, pohoi Halil Snopçe, deputet i ASH-së.
Ndaj versionit të parë i opozitës shqiptare për propozim-Ligjin për shtetësi janë propozuar 10 amendamente, përmbajtja e të cilëve bazohet në marrëveshjen e arritur mes koalicionit opozitar ASH-AAA dhe Qeverisë.